Personat që kanë probleme me dëgjimin në vendin tonë janë dy herë më shumë se në Bashkimin Europian. Në çdo 1000 lindje, 2.16 fëmijë rezultojnë të jenë të shurdhër. Vetëm vitin e fundit kanë lindur 70 të tillë me forma tepër të rënda të shurdhërisë. Të dhënat vijnë pas një monitorimi të kryer në katër maternitetet e vendit, në dy të kryeqytetit, në atë të Shkodrës dhe të Fierit. Sipas specialistëve, shkaktarët kryesorë janë trashëgimia, kequshqyerja e nënës gjatë shtatzënisë apo dhe lindjet e foshnjave nën peshë. “Janë testuar rreth 34 mijë fëmijë në këto tre vjet dhe prej tyre kanë rezultuar rreth 70 fëmijë me probleme të shurdhësisë bilaterale. Për rreth 70 për qind të tyre konsiderohet si faktor kryesor ai gjenetik, por ka dhe shkaqe që kanë të bëjnë me infeksione të ndryshme që mund të kalojë nëna gjatë shtatzënisë”, thotë Danjela Nika, koordinatore e shoqatës “Magis”, që ka kryer monitorimin. Kjo shoqatë ka pajisur me aparate dëgjimi falas të gjithë fëmijët e diagnostikuar këtë vit. I pranishëm në aktivitetin e djeshëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili tha se testi konfirmues i diagnozës për këtë lloj sëmundjeje kryhet vetëm në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar se vitin e ardhshëm testi do të përfshihet dhe në maternitete të tjera të vendit. Sipas Vasilit, shtrirja e këtij projekti është sfidë për shkak se duhen aparatura, vende dhe staf mjekësor i përgatitur.
400 mije
2.16 fëmijë rezultojnë të jenë të shurdhër në çdo 1000 lindje. Personat që kanë probleme me dëgjimin në vendin tonë janë dy herë më shumë se në Bashkimin Europian











