“Po përdoren metoda diktatoriale të regjimit komunist”- Bardhi denoncon Policinë: Hodhi gaz lotsjellës brenda xhamisë, akt i rëndë dhe brutal! (VIDEO)

Feb 20, 2026 | 21:14

Kryetari i grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, denoncoi mbrëmjen e sotme gjatë zhvillimit të protestës së opozitës tek Parlamenti, Policinë e Shtetit për hedhjen e gazit lotsjellës edhe brenda xhamisë së Namazgjasë, ku kishte shumë besimtarë që po faleshin në muajin e Ramazanit.

Gazment Bardhi

Me një reagim publik, ai akuzoi uniformat blu se jo vetëm vepruan brutalisht, por cenuan edhe lirinë e besimit fetar. Bardhi theksoi se gazi lotsjellës në xhami u hodh kur aty nuk kishte asnjë protestues.

“Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm. Është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit”, shprehet deputeti.

Më tej Bardhi shton se ashtu siç u rrëzua busti i Enver Hoxhës dhe regjimi 35 vite më parë, ashtu do përballen me forcë edhe ndaj këtij regjimi.

Reagimi i plotë i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm. Është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit.

E dënoj me forcën më të madhe këtë veprim, që i ngjan praktikave të një regjimi represiv dhe bie ndesh me çdo standard demokratik.

Sot, 35 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit, është e papranueshme që në këtë vend të përdoren metodat diktatoriale të regjimit komunist. Bustin e rrëzuam 3 dekada më parë, prandaj frikën dhe dhunën nuk do t’i lejojmë të ngrihen sërish”.

© Panorama.al

Te lidhura