
Një ditë pas publikimit të kallëzimit penal të tre oficerëve të policisë ndaj kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreut me pretendimin se ka penguar detyrën dhe i ka ofenduar, ka reaguar pronari i lokalit ku ka ndodhur ngjarja.
Në një komunikim me “Faxnews”, pronari i hotelit, Vladimir Gjeka ka dhënë versionin e tij të ngjarjes sipas të cilit nuk ka pasur asnjë përplasje me policinë, ashtu siç ishte pretenduar nga kallëzuesit.
Pronari i hotelit thotë se gjatë darkës së zhvilluar nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu me kryetarët e komunave të Kosovës dhe ambasadorin shqiptar, të ftuarit kanë kërkuar që të vendoset një këngë për Adem Jasharin pas orës 10 të mbrëmjes.
“Më vjen keq që lakohet emri i biznesit tim dhe kryebashkiakut! Rreth orës 10 e 10 minuta, ambasadori i shtetit shqiptar që është në Kosovë, bashkë me kryetarë komunash dhe bashkinë e Lezhës organizuam një aktivitet në Shëngjin ku ishte në takimin e pasdites dhe Ministri Klosi.
Pas atij takimi u organizua një darkë mikpritje për kryetarët e komunave të Kosovës. Një nga kryetarët e komunave ishte dhe kryetari i Komunës së Drenicës. Gjatë darkës ambasadori ose nuk e di kush tjetër, ka kërkuar që të këndohet një këngë patriotike për Adem Jasharin. Në atë kohë erdhën dy rapsodë në lokal” – tha pronari.
Më pas Vladimir Gjeka tregon si vijoi ngjarja dhe përballjen me policinë. Fillimisht ai ka biseduar me efektivët e patrullave, ka njoftuar shefin e komisariatit të Shëngjinit dhe policinë bashkiake për t’i shpjeguar që ishte një takim zyrtar.
Sipas pronarit të hotelit, efektivët e patrullave i kanë thënë që nuk e njohin as atë dhe as kryebashkiakun e Lezhës.
“Në këtë moment erdhi një patrullë policie, dhe stafi më tha që të pret policia jashtë. Unë dola dhe i sqarova që Bashkia Lezhë po bën një eveniment me kryetarët e komunave të Kosovës dhe nuk mund ta mbyllim lokalin sepse është evenimenti i bashkisë. Nuk ishte me foni dhe DJ. Në atë moment njoftova shefin e stacionit të Shëngjinit dhe i thashë që kryebashkiaku po bën një eveniment me kryetarët e komunave të Kosovës dhe fol me patrullat e policisë sepse nuk mund ta mbyllim sepse ishte një turp për neve, pasi na vijnë këta kryetarë komunash që na sjellin gjithë këtë punë në bregdetin shqiptar e t’u themi dilni jashtë dhe nuk mund të hahet pasi është ora policore.
Në atë moment këta polic thanë të mbyllim muzikën pasi nuk njohin as ty as kryetarin e bashkisë. Unë i kam thënë që nuk e mbyll lokalin dhe njoftova policinë bashkiake. Erdhi shefi i policisë bashkiake dhe i ka thënë se çfarë evenimenti po bëhet dhe ata pa pikë turpi nuk janë larguar por thirrën forcat e Shqiponjës.
I thash pa problem vij në komisariat. Kishte një reagim tendencioz. Nuk e di se për kë e kishin. Ajo që më vjen turp është mikrpritja e keqe që i bëmë kryetarëve të komunave në Kosovë” – u shpreh ai.
Ashtu siç thuhej edhe në kallëzim, në bisedimin që ka pasur pronari me policinë ka ndërhyrë dhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu. Por sipas pronarit nuk ka pasur as ofendime dhe as pengim detyre pas kryetari i bashkisë u ka thënë që do e sqaronte ai me institucionet përkatëse.
“Nuk më interesojnë llafet që thonë për kryebashkiakun apo mua, ne biznesmenët persekutohemi edhe kur vritemi dhe kur kemi ndonjë problem. Këtu fjala biznesmen përkthehet si i fortë. Atë figurë të keqe që bëri kryebashkiaku dhe ne si biznes. Përveç një sqarimi që menaxheri i lokalit ka thënë që nuk vjen dot pronari për t’u sqaruar. Këta nuk kanë pasur nevojë ta degjenerojnë në një sherr me fjalë.
Unë kam shkel ligjin dhe parashikohet një gjobë. Nuk po e kuptoj se kujt po i shërben ky sherr. Kryetari i bashkisë ka dalë dhe u ka thënë, çuna jemi ne këtu, çfarë keni me pronarin e lokalit, ai të vijë sipër se e sqaroj unë me organet kompetente.
Ndreu ishte me 15 kryetarë komunash, ambasadorin shqiptar në Kosovë. Nuk e kuptoj pse duhet të bëhet show. Policët nuk i kemi ofenduar” – tha pronari i hotelit.
PËRPLASJA MES PJERIN NDREUT DHE POLICISË
Tre efektivë të policisë së shtetit kanë kallëzuar penalisht kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun me pretendimin se i ka fyer dhe i ka penguar në ushtrimin e detyrës. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes (24 qershor) në Shëngjin jashtë ambienteve të një hoteli. Punonjësit e policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit pasi kishte kaluar ora policore, por kanë hasur kundërshtinë e pronarit të subjektit.
Në ndihmë të efektivëve të patrullës erdhën forcat „Shqiponja“ të cilët në debat e sipër tentuan të shoqërojnë në komisariat pronarin e lokalit. Në këtë moment ka dalë kryebashkiaku Ndreu duke i penguar detyrën me pretendimin se ligjin e bënte ai. Një ditë më pas, ndaj dy efektivëve të patrullës së Shëngjinit ka nisur hetim disiplinor nga eprorët e tyre për “Shkelje të rëndë të atributeve e kompetencave të Policisë”, me argumentin se në subjektin ku kishte muzikë në shkelje të ligjit, po zhvillohej një aktivitet i Bashkisë Lezhë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të huaj.
REAGIMI I PJERIN NDREUT LIDHUR ME NGJARJEN
Kryebashkiaku Pjerin Ndreu përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes. Duke i cilësuar “barkderra” efektivët që e kanë kallëzuar, Ndreu thotë se ata kanë kryer veprime të dhunshme gjatë një darke zyrtare me prezencën e 15 kryetarëve të komunave të Kosovës. Ai thotë se policia duhet të kishte vendosur gjobën që u takonte dhe të shmangnin veprimet e dhunshme.
© Panorama.al











