Autoritetet italiane kanë arrestuar katër persona të dyshuar si autorët e atentatit me eksploziv ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ “Report”.
Sipas mediave italiane, operacioni u zhvillua nga karabinierët me urdhër të Gjykatës së Romës, me kërkesë të Drejtorisë së Antimafias.
Tre nga të arrestuarit janë dërguar në burg, ndërsa një i katërt është vendosur në arrest shtëpiak. Arrestimet u kryen në orët e para të mëngjesit të së martës në provincat e Napolit dhe Avellinos.
Atentati ndodhi mbrëmjen e 16 tetorit 2025 në Pomezia, pranë Romës, kur një sasi eksplozivi shpërtheu përpara portës së banesës së gazetarit. Si pasojë, u shkatërruan dy automjetet e tij të parkuara jashtë dhe u dëmtua muri rrethues i pronës.
Sipas hetimeve, katër të dyshuarit akuzohen për posedim, transport dhe përdorim të lëndëve shpërthyese, kërcënim dhe dëmtim të pronës, me rënduesen se vepruan në grup dhe me metoda të ngjashme me ato të organizatave mafioze.
Prokuroria dyshon se grupi ka vepruar me porosi të personave të tretë, të cilët ende nuk janë identifikuar, kundrejt pagesës. Hetuesit besojnë se porositësit kanë siguruar financim, karta telefonike të dedikuara, mbështetje ligjore dhe madje kanë planifikuar edhe një arratisje të mundshme jashtë vendit për autorët.
Sipas dosjes hetimore, të dyshuarit janë përpjekur të pengojnë zbardhjen e ngjarjes duke kërkuar pajisje përgjimi, duke shkatërruar karta SIM dhe duke rënë dakord për versione të përbashkëta për të fshehur përfshirjen e tyre dhe për të mbrojtur porositësit.
Hetimet vijojnë për identifikimin e urdhëruesve të atentatit. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë njoftuar se ka edhe persona të tjerë nën hetim dhe po zhvillohen kontrolle në disa ambiente për të zbuluar ata që mund të kenë ofruar mbështetje logjistike për grupin kriminal.
© Panorama.al












