Kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, ka dhënë dorëheqjen paraditen e së shtunës. Pas emërimit në postin e zv.kryeministrit, Peleshi ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në përfundim të të cilit ka komunikuar dorëheqjen e tij. Ashtu si në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak, ku Peleshi vazhdimisht është fokusuar te projektet dhe vizioni i tij për qytetin e Korçës, sërish i ka qëndruar besnik kësaj sjelljeje, pavarësisht se ka qenë duke dhënë dorëheqjen nga një detyrë që e realizoi për 6 vite radhazi. Sipas Peleshit, projektet nuk do të ndalen për qytetin dhe ai do të vazhdojë t’i mbështesë. Në fjalën e mbajtur, Peleshi ka shprehur falënderimin për të gjithë mbështetësit e tij me të cilët ka ndarë punën në këto 6 vite, ndërsa duke e konsideruar si një vlerësim emërimin e tij në postin e zv.kryeministrit, ka deklaruar se kjo është edhe një meritë e qytetarëve të Korçës, të cilëve do t’u ofrojë gjithmonë mbështetjen e tij. Pas këtij komunikimi, gjithë pjesëmarrësit në mbledhje kanë ndarë së bashku disa momente festive, ku me gota shampanje në duar kanë përshëndetur zv.kryeministrin e ri. “Vendimi për të ndërprerë këtë rrugë të përbashkët është për një arsye shumë të rëndësishme, që e kalon Korçën dhe ka të bëjë me zhvillimet kombëtare. Unë e kam pasur pa dyshim të vështirë, por sfida të cilën e kam pranuar është një sfidë e madhe, shumë e vështirë, por shumë e bukur. Është e bukur, pasi prek gjithë Shqipërinë dhe Korçën pa dyshim. Është një sfidë që do të japë prioritetin e duhur dhe unë e besoj këtë, prandaj jam bërë pjesë e saj. Do t’i japë prioritetin e duhur zhvillimit urban, zhvillimit të qyteteve tona. Ne kemi fatin e mirë se si qytet jemi gati me projekte zhvillimi që presin vëmendjen, vullnetin dhe financimin. Por, më tepër sesa financimin, presin vullnetin politik për t’u bërë realitet. Kështu që nuk dua të marr këtu angazhime solemne, pa dyshim për qytetin e Korçës, që do jetë eksperienca më e bukur e jetës sime, kudo që unë të jem, por pa dyshim që, nëse quhet vlerësim emërimi në pozicionin e zëvendëskryeministrit, ky vlerësim nuk më takon mua, por edhe ju. U takon qytetarëve të Korçës. Nuk e them se kështu thonë gjithë politikanët kur flasin para kamerave. Por e them se nuk mund të kishim projekte në këtë qytet, nëse nuk do të na e bënte më të lehtë punën qytetaria korçare”, u shpreh Peleshi. Sipas ligjit, brenda 45 ditësh nga dhënia e dorëheqjes do të zhvillohen zgjedhjet e reja për kreun e Bashkisë së Korçës. Kryetari i Bashkisë së Korçës pranoi propozimin e Kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, për të mbajtur postin e zv.kry-eministrit në qeverinë e re, që pritet të nisë nga puna brenda javës së ardhshme.
Sotiraq Filo, kandidat i PS në Korçë
Partia Socialiste do të kandidojë Sotiraq Filon, për të zëvendësuar kryebashkiakun e Korçës, Niko Peleshi. Përballë tij do të jetë Gjergji Mero, rektor i Universitetit të Korçës, i cili do të kërkojë votat për PD për të rrëmbyer drejtimin e kësaj Bashkie nga e djathta. Në një nga prononcimet e tij për mediat, Filo, bashkëpunëtor i hershëm i Peleshit, tha se do të mbështesë projektet që janë në vazhdim në këtë Bashki. “Njoh projektet që i janë dedikuar qytetit të Korçës dhe kam qenë bashkëpunëtori më i afërt i Peleshit”, është shprehur ai.
KORÇE/DHORIELA CULE











