PD mbledh Kuvendin Kombëtar më 6 qershor, zbulohet data kur do të mbahen zgjedhjet për kryetarin

Mar 16, 2026 | 13:23

Partia Demokratike do t’i nënshtrohet një riorganizimi të brendshëm zgjedhor. Në mbledhjen e kryesisë së PD-së, të mbajtur sot, 16 mars, u vendos që zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë të mbahen më 23 maj, ndërsa dy javë më vonë, më 6 qershor, do të mblidhet Kuvendi Kombëtar.

selia blua

Kryesia përcaktoi gjatë mbledhjes së sotme edhe afatet, ku është parashikuar që deri më datë 30 prill të jetë përmbyllur i gjithë procesi i zgjedhjes së kryetarëve të degëve në të gjithë vendin. Aktualisht disa kryetarë degësh janë zgjedhur, ndërsa pritet zgjedhja e të tjerëve deri në këtë datë.

Më pas, procesi do të pasojë zgjedhjen e drejtuesit të ri të Partisë Demokratike, më 23 maj. Ky cikël riorganizimi do të përmbyllet më 6 qershor, data e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të partisë.

Gjatë mbledhjes së sotme, u caktua edhe grupi i punës që do të merret me ndryshimet statutore.

Grupi i përbërë nga 10 anëtarë, do të drejtohet nga kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, ndërsa anëtarët e tjerë do të jenë: Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enno Bozdo, Gent Strazimiri, Elda Hoti, Keltis Kruja, Adriana Kalaja, Marash Logu dhe Franc Nuri.

 Grupi për Rishikimin e Statutit:

  1. Gazment Bardhi – Kryetar
  2. Oerd Bylykbashi – Anëtar
  3. Ivi Kaso – Anëtar
  4. Gent Strazimiri – Anëtar
  5. Enno Bozdo – Anëtar
  6. Elda Hoti – Anëtar
  7. Keltis Kruja – Anëtar
  8. Adriana Kalaja – Anëtar
  9. Marash Logu – Anëtar
  10. Franc Nuri – Anëtar

Ky është procesi i parë zgjedhor që Berisha zhvillon nën logon e Partisë Demokratike pasi katër vite më parë, kur ky proces u zhvillua nën siglën e Komisionit të Rithemelimit dhe gjatë përplasjeve me Bashën.

© Panorama.al

Te lidhura