“Pasiguria e pronës nuk ka qenë një dështim i sistemit, por mjet i tij”- Tabaku: Duhet hetim parlamentar për zbatimin e ligjit të investimeve strategjike

Jul 7, 2026 | 10:29

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se abuzimi me pronën në Shqipëri nuk është një problem i izoluar, por një nga shtyllat kryesore të sistemit politik dhe ekonomik të ngritur nga qeveria socialiste.

tabaku rama pronat

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku lidh ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave me ligjin për investimet strategjike, duke i cilësuar ato si dy pjesë të së njëjtës arkitekturë: dobësimin e pronarëve të ligjshëm dhe transferimin e pronës publike e private drejt një pakice të privilegjuar.

“Njëri dobësoi pronarët e ligjshëm. Tjetri krijoi mekanizmat për kalimin e pronës publike dhe private në duart e një pakice të privilegjuar”, shkruan Tabaku.

Sipas saj, ajo që ka ndodhur me pronën gjatë viteve të qeverisjes socialiste nuk është thjesht keqmenaxhim administrativ, por një mekanizëm i qëllimshëm kontrolli politik dhe ekonomik.

Pasiguria e pronësisë, regjistrat e pasaktë, vendimet e pazbatuara të gjykatave dhe sorollatja shumëvjeçare e pronarëve kanë dobësuar qytetarin dhe kanë forcuar administratën dhe pushtetin politik.

“Kur prona është e pasigurt, qytetari është i dobët. Kur dokumentet janë të paqarta, administrata bëhet e plotfuqishme. Kur ligji ndryshon sipas interesit, pushteti vendos kush fiton dhe kush humbet”, shprehet deputetja demokrate.

Tabaku thekson se ky është thelbi i sistemit që duhet ndryshuar: një shtet ku të drejtat kushtetuese nuk garantohen nga ligji, por shndërrohen në favore që shpërndahen nga pushteti.

Sipas saj, prona e qytetarit është trajtuar si pronë personale e qeverisë, e cila vendos kujt t’ia japë, kujt t’ia mohojë dhe cilin investitor të privilegjojë.

Deputetja e PD-së i referohet edhe hetimeve të SPAK, të cilat, sipas saj, kanë ekspozuar depërtimin e parave të pista në ndërtim, prona, resorte turistike dhe kontrata publike.

Ajo deklaron se statusi i “investitorit strategjik” nuk është përdorur kryesisht për teknologji, industri apo vende të mirëpaguara pune, por për privilegje fiskale, procedura të përshpejtuara dhe përdorimin e pasurisë publike nga një rreth i kufizuar përfituesish.

“Ky sistem ka autorë, zbatues dhe noterë politikë. Ideatori është Kryeministri. Aparati janë ministrat dhe agjencitë. Ndërsa shumica socialiste në Kuvend ka votuar ligjet, përjashtimet dhe kontratat që e kanë mbajtur në këmbë”, shkruan Tabaku.

Ajo kërkon një hetim të plotë parlamentar mbi zbatimin e ligjit për investimet strategjike, transferimin e pronave publike, lehtësitë fiskale dhe lidhjet mes përfituesve dhe vendimmarrësve.

Sipas Tabakut, ndryshimi i sistemit nuk mund të jetë vetëm ndryshim emrash apo qeverish, por duhet të nënkuptojë rikthimin e shtetit te qytetari, garantimin e pronës private, barazinë para ligjit dhe fundin e privilegjeve për pakicën.

“Ndryshimi nuk është më vetëm kërkesë politike. Është domosdoshmëri ekonomike, demokratike dhe kombëtare”, përfundon deputetja e Partisë Demokratike.

© Panorama.al

Te lidhura