25 Korrik, 2022

Vulgaritet, modele problematike dhe pikëpamje toksike- Çfarë nuk shkon me programet e dashurisë në vendin tonë?


Kush? Të rinj dhe të reja.
Çfarë? Në kërkim të dashurisë, mes manisë për famë dhe para.
Kur? Çdo ditë, prej disa vitesh.
Ku? Në ekranet shqiptare.
Si? Me mashtrime, të bërtitura, intriga e shpesh skandale.
Pse? ..Heshtje…

Emisionet e takimeve që njihen si ‘Dating-show’ (siç do i referohemi gjatë shkrimit) po bëhen gjithnjë e më të shtrembëruara se sa kanë qenë ndonjëherë. Në vitet e fundit, ekranet shqiptare kanë sjellë disa ‘dating shows’ dhe asnjëri prej tyre nuk e ka arritur qëllimin e tij. I fundit është “Kepi i Tundimeve” që është frymëzuar nga versioni i Netflix “Too Hot to Handle” që i paguan garuesit, disa të rinj, që të mos flenë me njëri-tjetrin gjatë një bashkëjetese disaditore (20 ditë) në një ambient luksoz. Kritika të pafundme kanë vërshuar në drejtim të programit vetëm me transmetimin e episodit të tij të parë. Që nga fjalori vulgare dhe aspak i përshtatshme për një format i cili transmetohet në një televizion publik dhe shihet nga fëmijë të të gjitha moshave e deri te mospërcjellja e asnjë mesazhi përveçse formave seksi. “Kështu bravo iu qoftë gocave që bënë intervistën me rroba banjo, rrinë ulur dhe nuk u paloset barku dhe krijohet dhjami. Bravo gocave, dhe çunave që lëvizin gjoksin.WOW,”– është shprehur Dalina Buzi (producente dhe pazetare) disa ditë më parë në rrjetet sociale.

Megjithatë, ky ‘dating show’ vetëm sa i bashkohet listës së programeve si ‘Për’puthen’, ‘Love story’, që kanë dështuar në përmbushjen e ‘misionit’ të tyre që është krijimi i çifteve. Problemi me të gjitha këto ‘dating shows’ është se ata nuk janë vërtet programe për gjetjen e dashurisë. Me kalimin e viteve, gëzimi i shikimit të dy njerëzve të dashuruar i ka lënë vendin një karnavali skenarësh fallco. Dashuria është vetëm një grep që këto shfaqje e përdorin për të arritur vëmendje. Ju nuk shikoni më ‘Për’puthen’ sepse besoni në pastërtinë e dashurisë, ju e shikoni për të zbuluar se si Alvisa gënjeu Hysenin vite më parë kur programi nuk ekzistonte dhe se si Hyseni u hakmor ndaj saj shembull). Apo nëse do dalë ndonjë Tea dhe Andi tjetër. Dhe nuk e shihni më ‘Love Story’ për të parë momentin magjik kur dy njerëz kuptojnë se kanë nevojë për njëri-tjetrin në jetën e tyre, por për Marinelën dhe nëse do nxjerrë nga goja diçka që do e bënte meme sërish.

Programet e dashurisë janë kthyer në një fenomen kulturor që është rritur gradualisht në përmbajtje dhe shikueshmëri gjatë viteve. Origjina e tyre mund të gjurmohet qysh në shfaqjen e vitit 1965 “The Dating Game”, prodhuar nga Chuck Barris. Shfaqja i ofroi një gruaje beqare një shans për të pyetur tre burra, të cilët ajo nuk mund t’i shihte, një sërë pyetjesh për të përcaktuar se me cilin prej tyre përshtatej më shumë. Me kalimin e viteve, kompleksiteti dhe konkurrenca e këtyre shfaqjeve dramatike ka evoluar, duke humbur risinë dhe sharmin e paraardhësve të tyre. Këto takime moderne tregojnë se i vendosin garuesit në skenarë të inskenuar, duke i vendosur shumicën e tyre për dështim nën maskën e gjetjes së dashurisë së vërtetë.

Programet televizive të gjetjes së dashurisë janë disi argëtuese, por në fund të fundit, ato janë larg realitetit. Njerëzit e kanë ndjekur “Për’puthen” që nga viti 2019, dhe në 3 sezone asnjë çift i dalë prej aty nuk ka funksionuar. Çift më jetëgjatë ka qenë Andi-Melisa që u lidhën fshehurazi dhe pas programit dhe u ndan pas rreth dy vitesh bashkë. Ana- Bruno, Mikela-Erion, Mevlan-Lediana, Andi-Jasmina, Alvisa-Bashkim, Geri-Ina, Saimir-Meri janë vetëm disa nga çiftet e dala nga Për’puthen dhe Love Story dhe asnjë prej tyre nuk e vijon sot lidhjen.

Pse dështojnë marrëdhëniet e krijuara në këto programe?

Pra, le të ndalemi te arsyet pse çiftet e ‘dating-shows’ nuk zgjasin shumë. Një nga fajtorët më të mëdhenj në këtë drejtim është se takimet janë planifikuar nga stafi. Në jetën reale ju planifikoni takimin, dhe me siguri ato nuk janë aq romantike sa tregohen në televizor. Kjo tentativë e krijimit të çifteve dhe i shtyrjes së dikujt që vështirë të dalë në një takim, vret vërtet ndjenjat emocionale dhe romantike të një personi.

Arsyeja e dytë është se syri i publikut është mbi ta – kamera është ndezur, gjë që ndryshon krejtësisht mënyrën se si sillen. Sigurisht që të gjithë bëhen paksa “jo vetvetja” përpara kamerës, veçanërisht duke ditur që ka qindra mijëra njerëz që i shikojnë. Presioni i përfshirë në këto programe i bën pjesëmarrësit të marrin vendime që mund të mos i merrnin nëse nuk do të ishin në TV, kështu që herët a vonë, kur kamerat janë të fikur, shfaqen personalitetet dhe sjellja e vërtetë. Dhe kur ajo falsifikohet kaq shumë në TV, sjellja e vërtetë i trondit plotësisht të dy partnerët.

Garuesit vijnë nga qytete të ndryshme dhe ndonjëherë edhe vende të ndryshme. Pra, sigurisht, njëri prej tyre duhet të lëvizë. Imagjinoni një person të heqë dorë nga puna dhe jeta e tij për t’u zhvendosur plotësisht në një vend të ri. Kompromisi është shumë i madh për çdo person normal.

Një problem tjetër me programet e dashurisë është se ato nuk ju japin kohën e nevojshme për të kuptuar një ndjenjë për një person; sezoni duhet të përfundojë në një datë të caktuar në mënyrë që  të fillojë sezoni i ardhshëm. Kjo pak kohë me të vërtetë nuk është e mjaftueshme për të njohur apo ndjerë vërtet për dikë. Mund të duhen muaj apo edhe vite për të zgjedhur një partner – e gjithë kjo nuk mund të ndodhë në një sezon me disa episode.

Ekziston edhe qëllimi për të fituar nga këto programe. Hyrja në një program, lënia e punës dhe përgjegjësive: Askush nuk do ta bënte këtë vetëm për të ardhur dhe për të mos marrë asgjë në fund. Pra, çiftet mund të pretendojnë se janë të gjithë të dashuruar, ndërsa në realitet ata mund të mos duan të takohen më kurrë pas programit vetëm për të marrë vëmendje, ndjekës në rrjetet sociale që përkthehen në të ardhura.

Në të vërtetë, shumica e pjesëmarrësve nuk janë në kërkim të një lidhjeje të vërtetë. Njerëzve u pëlqen të jenë në televizor dhe të njihen kur ecin në rrugë, por në realitet shumica prej tyre e kuptojnë se dashuria e vërtetë e jetës së tyre nuk do të gjendet në një reality-show televiziv. Shumica e pjesëmarrësve po kërkojnë një kohë të mirë dhe lehtësitë e ofruara nga programi dhe jo diçka afatgjatë.  Kush do ta kishte problem një udhëtim të paguar me të gjitha shpenzimet në një vendpushim ose një rezidencë dhe të humbasë gjërat falas?

Një nga arsyet kryesore të dështimit të këtyre programeve është se, pasi të filmohet shfaqja, çifteve u kërkohet të fshihen nga sytë e publikut dhe mos të takohen pas kamerave. Kjo ndarje e gjatë shpesh çon që çiftet të humbasin interesin për njëri-tjetrin dhe të ndahen dhe, në fakt, ndonjëherë të gjejnë një partner të ri.

Këto programe ekzistojnë vetëm për argëtim, jo për frymëzim apo udhëzim. Por pavarësisht nëse duan të marrin përgjegjësinë apo jo, ata po promovojnë sjellje toksike me mesazhe që nënkuptojnë se dashuria është një konkurs.

Në vend që të shfaqin çifte të rinj dhe padyshim naivë, këto programe sjellin shembuj negativë ku flitet për çdo gjë, përveç dashurisë. Diskutimet, nga konkurrentët te opinionistët nisin si ironi dhe përfundojnë në ofendime dhe fjalor aspak tipik për disa njerëz që e kanë kaluar adoleshencën me kohë.

Këto programe duhet të shihen si përgjegjëse për ndikimin tek të rinjtë, qoftë në mënyrën se si i konceptojnë ata lidhjen, ashtu se si e konceptojnë famën, paratë apo vëmendjen. Çfarë ndikon më shumë në këtë pjesë është edhe background-i pjesëmarrësve: student, të papunë, kamarier, banakier, PR, sportist etj. Pra, të gjithë këta djem, si shumë prej nesh, të cilët në jetën e përditshme nuk vishen me Palm Angels, Guçi dhe Moncler, nuk që në fund të ditës nuk prezantohen si të tjerët.

Si konsumatorë të përmbajtjes, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për atë që shikojmë dhe si e interpretojmë atë.  Derisa të shohim një program të vërtetë, ne po ndikojmë në një kuptim toksik, kulturor se marrëdhëniet janë të shpenzueshme dhe dashuria është vetëm një lojë që plotëson kënaqësitë e shikuesve.

Vetë zhanri i romancës është kritikuar për konventat toksike që përcjell. Por, ndërthurja e një reality-show me zhanrin e romancës krijon edhe më shumë potencial për turbulenca. Programet e dashurisë mund të jenë argëtim të padëmshëm, por ka një paralajmërim. Qëllimi përfundimtar i programit nuk është vetëm të biesh në dashuri; ndryshe nga sa sugjeron emri i shfaqjes, dashuria është një përfitim i mundshëm që mund të fitohet gjatë rrugës. “Kepi i tundimeve” ka të gjithë të rinjtë për të konkurruar, qoftë për dashuri, miqësi, apo vetëm për të fituar çmimin e fundit në para.

Pra, gjetja e partnerit tuaj të jetës në një program mund të mos jetë ideja më e mirë, por megjithatë, ata janë argëtuese për t’u parë. Drama, zënkat, dashuria por në fund të fundit është e gjitha argëtim; producentët po bëjnë para, ndërsa polemikat e bëjnë shfaqjen interesante.

***Copyright: Panorama Plus/ Ndalohet ribotimi i artikullit

© Panoramaplus.al