31 Korrik, 2022

VIPAT NE PLAZH/ Pushimet “pasive” të politikanëve shqiptarë


Vera ka ardhur edhe politikanët. Ndonëse për këtë sezon ata zyrtarisht ende nuk i kanë marrë pushimet, në arkivat tona kemi pozat e tyre teksa shfaqen të zhveshur nga kostumi i zyrtarit të lartë. Duket se të gjithë zgjedhin jugun e vendit, për të kaluar ditët e tyre buzë detit. Paparaci ynë i ka sjellë ata në të përditshmen e tyre si çdo pushues tjetër. Të pashqetësuar nga sytë e kureshtarëve, edhe disa nga ministrat më të njohur në vend, duket se pushojnë si të gjithë ne.

Lindita Nikolla

Në një nga resortet e bukura të Dhërmiut është fotografuar edhe zonja Lindita Nikolla, në vitin 2015, asokohe ministre e Arsimit. Zonja Nikolla zgjodhi një vend të qetë dhe më së shumti preferonte pishinën e hotelit se sa detin e zhurmshëm dhe të superpopulluar.

Si gjithmonë, me një profil të ulët dhe një natyrë diskrete, vetëm paparaci ynë mund ta zbulonte se ku kishte zgjedhur të rrinte disa ditë në qetësi. Sot kryeparlamentarja është një figurë edhe më e tërhequr, duke u përkufizuar vetëm brenda detyrës së saj.

OGERTA MANASTIRLIU

Ishte koha pa COVID kur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, shijonte bregdetin e Jugut së bashku me bashkëshortin dhe 2 vajzat e saj. Ashtu si duket edhe nga foto, Manastirliu nuk i kursen as pozat buzë detit me bikini.

Në një nga pozat është pikërisht bashkëshorti i saj që i shërben si fotograf. E pa shqetësuar nga sytë e kureshtarëve, ministrja shijonte pushimet, së bashku me familjen e saj. Duhet thënë se kjo është një nga daljet e rralla të saj në plazh. Vitet e fundit angazhimet e saj janë shtuar ndjeshëm, e për rrjedhojë edhe koha e lirë në të cilën mund ta gjejmë buzë detit.

NIKO PELESHI

Në kohën kur Niko Peleshi shijonte plazhin e Dhërmiut me familjen e tij, kishte lënë kryesimin e Bashkisë së Korçës, për t’u bërë zëvendësi i Kryeministrit.

Peleshi ka qenë vazhdimisht në poste të mira dhe aktualisht drejton Ministrinë e Mbrojtjes dhe me siguri këto kohë nuk ka pasur shumë kohë për pushim, për shkak të zjarreve që kanë kapluar vendin. Si rrallë herë ministri është fotografuar edhe me bashkëshorten e tij. Duhet thënë se nusja e ministrit të Mbrojtjes, është një personazh që deri më sot nuk e kemi parë kurrë në media, duke preferuar të qëndrojë larg fokusit mediatik.

BLEDI ÇUÇI

Bledi Çuçi, një nga ministrat aktualë më të rëndësishëm të qeverisë Rama, të cilit ai i ka besuar Ministrinë e Brendshme, kur është fotografuar ka qenë thjesht një deputet i Grupit Parlamentar.I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Çuçi ka preferuar një vend disi të qetë në zonën e Dhërmiut, madje nuk i ka rezistuar edhe frutave të zonës, të cilat shiten nga tregtarët ambulantë atje.

Ashtu si shihet edhe nga fotot, ministri shijon qëndrimin në shezlong me bashkëshorten, duke bashkëbiseduar me orë të tëra. Natyrisht që edhe deti është gjithmonë një zgjedhje e mirë për të, ku duket se Çuçi është një notar i mirë.

MIMI KODHELI

Në vitin 2015, zonja Mimi Kodheli ishte ministre e Mbrojtjes dhe plazhin atë vit e bëri në Jalë, me bashkëshortin e saj.

Pushimet e Kodhelit duken shumë aktive. Me gjasa ajo deputetja është një adhuruese e detit dhe e plazhit, ndaj edhe në foto ajo është kapur me një kapuç për të mbrojtur flokët, teksa vështirë se mund ta gjesh shumë gjatë jashtë ujit. Kodheli flet shpesh në media për marrëdhënien me bashkëshortin e saj, por duhet thënë se këto poza ku shfaqen si çift janë të rralla.

© Panoramaplus.al