Më 28 tetor, në Qendrën e Kulturës, Katedralen Ortodokse në Tiranë, këngëtari i muzikës pop–rock, Mentor Haziri, mbajti recitalin e tij të titulluar “Shtigje tingujsh”. Haziri e nisi me këngën e Michael Bolton “When a Man Loves a Woman”.

Këngët që u interpretuan janë ato të repertorit të Mentorit, të ripunuara në orkestracion, si edhe këngë të kohëve të fundit. Në këtë koncert, ai doli para publikut nën shoqërimin e disa prej instrumentistëve më të njohur të kësaj gjinie muzikore si: Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari, Leonard Canhasi, Jeton Dolaku.
Si një paradë, u risollën në mbrëmjen speciale hitet e tij ndër vite si: “Engjëll”, “Kujtoje” dhe “Plagë në zemër” etj.. Dy vjet më parë, Mentor Haziri mbajti në Prishtinë koncertin recital me titull “Rrugës”. Nëse në atë koncert muzikanti risillte në kujtesë gjithë rrugën e kryer 10 vjet më parë kur ai udhëtoi drejt Tiranës për të marrë pjesë në “Top Fest”, në këtë koncert të fundit të tetorit, ai paraqiti destinacionet ku sheh muzikën e tij të shkojë. “Mundohem të harroj” ishte një ndër këngët e ish-grupit “Kthjellu”, me të cilën Mentor Haziri fitoi edhe çmimin për këngën më të mirë Pop & Rock Award në vitin 2006.

Një ndër këngët më të pëlqyera prej publikut është bashkëpunimi i tij në vitin 2013 në kuadër të grupit “Kthjellu” me Alban Skënderajn në këngën me titull “Diçka”. Miqtë artistë dhe publiku patën mundësi të shijonin një mbrëmje të dedikuar muzikës së mirë.

Paparazzi ynë sjell disa foto, ku duket që Mentorin e nderuan me prezencën e tyre këngëtarë si, Aurela Gaçe, Eli Fara, Anxhela Peristeri, Erik Lloshit etj.. Në këtë koncert nuk mund të mungonin këngët dedikuar dashurisë, të cilat mbizotërojnë në repertorin e kantautorit të muzikës Pop&Rock. Mentor Haziri është vlerësuar me shumë çmime të ndryshme në festivale të ndryshme, edhe këtë vit është pjesmarrës në festivalin “Kënga Magjike”, që ka edhe përvjetorin e 20-të.

PANORAMA PLUS
© Panoramaplus.al
