26 Tetor, 2019

FOTOT/ “Theva kyçin e dorës…”- Vildane Zeneli rrëfehet për jetën private: S’jam kundër marrëdhënieve, por s’ kam gjetur ende mashkullin që t’i jepem 100%


Jeta pas aksidentit në Miami dhe risitë në muzikë. Modelingu, pasioni për zbulimin e talenteve, jeta e vërtetë pas fotove të “Instagram”-it, miqësitë në art dhe një mesazh për dashurinë. Vildane Zeneli, dikur modelja në klipin e Flori Mumajesit e së fundi në skenat erotike me Tuna Sejdiun, vendos të rrëfehet.

Në një intervistë për kopertinën e revistës “Who”, bashkë me një set fotosh seksi, ajo tregon se si disa plane i ka çuar në djall për të ndërtuar të tjera, në themele më të forta sesa të parat. Një aksident gjatë punës i dha mundësinë e dy viteve pushim, gjatë të cilave ka menduar për gjithçka po bën tani. Modelingu nuk mund të vazhdojë përgjithnjë, ndaj Vildania ka bërë plane të tjera.

“Jeta është e mrekullueshme dhe jam e lumtur që po jetoj jetën që dua. Fatmirësisht, unë po vazhdoj të bëj atë që kam bërë gjithmonë, që është modelingu. Jam në një pikë ku mund të zgjedh punët që dua dhe çfarë bën sens për mua. Unë kam qenë duke zgjeruar brandin tim dhe jam fokusuar në diçka që është shumë më e rëndësishme sesa modelingu për mua. Kam punuar në industrinë e muzikës për të zbuluar talente të reja dhe i kam bërë pjesë të kompanive më të mëdha muzikore. Njëkohësisht edhe i kam ndihmuar për të punuar, duke marrë parasysh sa shumë e dua muzikën. Kjo eksperiencë më ka bërë shumë të lumtur, pasi nga ana tjetër po punoj edhe me projekte muzikore të miat”, thotë Vildane, e cila këtë verë erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vendlindjen e saj Kosovë.

Sa i takon karrierës në modeling, ajo tregon detaje nga aksidenti që e bëri të shkëputej për dy vjet. “Theva kyçin e dorës së djathtë gjatë një seti fotografik në Miami. Unë kisha bërë një dush gjysmë ore para aksidentit dhe isha gati të rregulloja flokët e të bëja grimin. Dyshemeja ishte ujë, unë rrëshqita dhe theva kyçin e dorës shumë keq, ishte njësoj si të kisha prerë dorën. Bëra tri operacione brenda vitit dhe një vit më pas m’u desh të bëja fizioterapi për të rifituar fuqinë dhe lëvizjen e dorës. Ishte shumë e vështirë. E theva kyçin gjatë dimrit dhe nuk mund të vishja xhaketa, nuk mund të ushqeja veten apo të bëja dush pa më ndihmuar dikush, ishte një periudhë e tmerrshme për mua. E hodha në gjyq hotelin për pagat e humbura, për gjithë dëmin fizik dhe emocional dhe e përfunduam këtë çështje vitin e kaluar. Bëra mirë, sepse tani mund të shijoj paratë e mia. Bëj shaka. Unë e dashuroj punën”.

Sa për jetën luksoze, ajo tregon: “Unë jam marrë me këtë biznes për shumë kohë, kam punuar shumë dhe vazhdoj të punoj, kështu që mund të bëj gjërat që dua. Është shumë e thjeshtë: nëse punon fort, mund të marrësh gjërat që do të kesh, por më e rëndësishme është të jesh i lumtur jashtë botës së mediave sociale, sepse të gjithë prezantojnë një stil jetese në ‘Instagram’, po a janë ata të lumtur? Unë jam e lumtur jashtë rrjeteve sociale dhe për këtë gjë ndihem mirë”.

Në lidhje me planet për të hyrë në muzikë, ajo tregon: “Për momentin po punoj me mikun tim të ngushtë, Seven Saraqi, dhe ne kemi shumë gjëra të mira që pritet të publikohen së shpejti. Ne jemi një skuadër e mirë, po punojmë me një nga personat më të fuqishëm në industrinë e muzikës, Alex DaKid, që është krijuesi i Imagine Draons, X Ambassador, Skylar Grey etj. Ai ka prodhuar disa nga hitet më të bukura, si “I love the way you lie” me Rihanën dhe Eminem, lista është shumë e gjatë dhe do më duheshin ditë të tëra të numëroja sukseset e tij”.

Po nga jeta private e Vildanes, ndonjë e re? “Nuk ka asgjë të re në jetën time private. Jam e lumtur duke dashuruar veten për momentin”. Pyetjes “S’e ke takuar ende princin, a duhet të jetë ai shumë i pasur”, ajo i përgjigjet kështu: “Jo, ende. Nuk jam kundër marrëdhënieve, thjesht nuk kam gjetur dikë që ta pëlqej mjaftueshëm sa t’i jepem 100%. Fatmirësisht, Zoti më ka bekuar me gjithçka dua dhe kam nevojë. Unë kam punuar për suksesin tim. Nuk jam e çmendur pas gjërave materiale. Unë dua dashuri, një njeri besnik, dikë që mund t’i besoj dhe dikë të zgjuar, sepse nëse je i zgjuar mund të gjesh një mënyrë për të bërë një jetë të mirë për veten. Ai duhet të jetë i lirshëm dhe i kompletuar, nuk dua një gjysmë, dua një të plotë”, përfundon rrëfimin e saj Vildane.

© Panoramaplus.al