Një adoleshente braziliane ka hequr dorë nga anonimiteti i saj, ndërsa ka treguar me guxim se si i mbijetoi një rrëmbimi prej tetë orësh, gjatë së cilës u abuzua seksualisht, u rrah brutalisht dhe gati humbi jetën.
Kalliny Trevisian, 19-vjeç, tha se zgjodhi që të tregojë përvojën e saj të tmerrshme për të inkurajuar viktimat e tjera të abuzimit që të mos heshtin. E reja ishte gati të hynte në vendin e saj të punës, në një laborator farmaceutik në Cotia, Greater Sao Paulo, kur ajo u rrëmbye nënë kërcënimin e një thike në orën 8 të mëngjesit, më 1 qershor të këtij viti.
Policët përdorën kamerat e monitorimit të trafikut si dhe sinjalet e telefonit të saj celular, e më pas ndoqën agresorin e të resë, i quajtur Jose Wilker, një murator 37-vjeç.
Vajza u gjet nga policia me duart e këmbët të lidhura me një litar, një zinxhirë rreth qafës dhe kokën e mbuluar me një leckë.
“Rastet si i imi ndodhin çdo ditë dhe unë dua që gra të tjera, që e kanë kaluar këtë, të kenë guximin ta raportojnë dhe të gjejnë forcën për të vazhduar më tej. Dua të tregoj se kultura e përdhunimit dhe sulmet ndaj grave janë një problem i vërtetë. Sot kam fatin të jem gjallë. Shumë gra mbase nuk kanë mbijetuar, edhe unë mendova se do të vdisja. E gjitha ndodhi për pak sekonda, u përpoqa të rezistoja, por ai më kishte vendosur thikën në fyt”, tha ajo.
Për fat të mirë britmat e saj u dëgjuan nga rojet e sigurisë së ndërtesës, të cilët iu vunë në ndjekje agresorit.
“Vetëm qaja, kisha shumë frikë, iu luta që të më linte, mos më përdhunonte. Mendova se do vdisja, mendova për familjen time i dhashë lamtumirën me zemër. Në bagazhin e makinës pashë që kishte një lopatë dhe isha e bindur se do ta përdorte për të hapur një gropë ku do të më varroste”, shtoi ajo.
E reja u shpëtua pas tetë orësh nga policia, ndërsa agresori i saj u kap katër orë më vonë. Tashmë ajo thotë se do ta ketë të vështirë ta harrojë gjithë sa ndodhi, por shton se do ta gjejë forcën për të ecur përpara.
© Panoramaplus.al




