Këngëtarja Vesa Luma jeton dhe punon në Zelandën e Re, por prej pak muajsh është rikthyer në Kosovë së bashku me djalin e saj, Lianin. Aristja, e cila prej disa kohësh nuk ka sjellë projekte të reja muzikore, ka zbuluar se është infektuar me Covid-19 pasi arriti në Shqipëri.

Gjatë intervistës në “ABC e Pasdites”, Luma tha se vaksinimi e ndihmoi që ta kalonte më lehtë virusin, por gjatë atyre ditëve të sikletshme vendosi të mos e lajmëronte bashkëshortin e saj, Big Bastën, që ndodhet në Zelandën e Re. Kjo për shkak se nuk donte ta shqetësonte, pasi edhe djali i tyre u sëmur me një tjetër virus, që e detyroi të kalonte një natë në spital.

“Sa erdha në Shqipëri drejt e në Covid. Kam qenë e vaksinuar dhe përveç Covid-it, mora edhe të gjitha viruset e tjera. Fati që kam pas vaksinën dhe e kam kalu le të themi lehtshëm. Se nuk ka qenë edhe shumë e lehtë, po mos të kisha vaksinën ndoshta do e kisha kalu shumë më rëndë. Korriku dhe gushti më kanë kaluar nëpër spitale.
Nuk i kam treguar në fillim (Big Bastës). I kam tregu kur ka mbaru e gjitha, sepse nuk kam dasht… Imagjinoje vten të jesh larg, në fund të botës dhe përveç meje është edhe çuni dhe pasi kaloi ajo e keqja, gradualisht… Më e vështira ka qenë me çunin se dhe ai ka kaluar një natë në spital dhe ka qenë keq me një virus tjetër. Imagjino t’i thoja Gerit nga këtu ça po ndodhte nuk kishte kuptim”,- tha këngëtarja.

Vesa foli edhe për planet që ka për të sjellë projekte të reja muzikore. Artistja zbuloi se së shpejti do të mbajë një koncert në Tiranë dhe në Kosovë.
“Kam plane të afërta dhe janë shumë të mira, mezi po pres. Unë nuk do të vija këtu të rrija dhe vetëm të rrija sepse nuk mundem. Është një projekt, unë e kam pas gjithmonë shumë me qejf që të bëj një recital timin, i cili do jetë edhe në Prishtinë edhe në Tiranë.”,- zbuloi Luma.
Kur u pyet nëse do të bëjë ndonjë fëmijë tjetër, Vesa tha: “Oh Zot, a muna me i bo skip (me e anashkalu)? Liani e kërkon gjithë kohës, por më duhet ta kem burrin këtu, se vetë nuk bëhet. E kemi në planet e afërta. Ta kemi me shëndet Lianin, por plane kemi. Shpresoj që do të kemi fatin të bekohemi me një tjetër fëmijë”.


