Prej disa vitesh, ajo ka qenë pjesë e ekranit. Flasim për Dojna Memën, e cila ishte ndër moderatoret më të pëlqyera për publikun, duke ia besuar ndër vite disa formate të rëndësishme në “Top”.

Por, duket se mëmësia e ka larguar pak nga ekrani. Ose të paktën këtë mendonim ne. Muaj më parë ajo u bë nënë e një djali, që e quajtën Nolan Sol. U duk se ky do të ishte momenti që do ta tërhiqte disi nga ekrani Dojnën, por në fakt, moderatorja nuk është ftuar për sezonin e dytë të “Big Brother Fun Club”.

Kujtojmë se vitin e shkuar, ndonëse në pritje të ëmbël, prezantuesja drejtoi javë pas jave emisionin, duke fituar simpatinë e publikut. Ndërsa këtë herë, ajo është zëvendësuar nga Megi Pojani. Pas përfundimit të “Dancing with the Stars”, Megi ka preferuar të ishte në ekran jo si konkurrente e formatit, por si drejtuesja e “Fun Club”.

Në krah të saj është edhe ish-banori i “BBV 1”, Ardit Çuni. Por, duket se distancimi nga ekrani, ka bërë që më në fund Dojna të flasë për këtë mungesë të saj.
“Ajo që po ndodh aktualisht në media nuk është situata më stimuluese për formën si unë e shoh median, atë që media duhet të përfaqësojë. Edhe për formën si unë e shoh rolin e moderatorit, prezantuesit, gazetarit, personit që është në vijë të parë dhe në kontakt direkt me publikun. Le të themi se aktualisht që flasim, asnjë nga programet që bëhet, nuk më stimulon aspak. Por, ju do më shihni shumë shpejt. Ashtu si ju dëshiron të më shihni”, tha Dojna.

Natyrisht që mes rreshtash kuptohet zhgënjimi i moderatores për ftesën e munguar për të sjellë një imazh në stilin e saj në këtë format kaq të dashur për publikun. Por duket se tashmë, ajo do t’i dedikohet vetëm mëmësisë dhe biznesit që ka bashkë me bashkëshortin e saj, Vlashentin.

Që pas shkëputjes nga televizioni, kjo është hera e parë që moderatorja flet për karrierën e saj. Në daljet e mëparshme publike, Dojna është fokusuar vetëm te ndjesitë e reja si nënë. E ftuar në studio pak muaj pas lindjes, ajo ka ndarë me publikun edhe emocionet e lindjes.

“Kompleks kam pasur faktin që linda me çezarian dhe jo me lindje natyrale. Kjo ka qenë pjesa më e komplikuar që unë e kam vuajtur shumë. Për fat, kisha Vlashentin afër. Deri në momentin e fundit kam shkuar në spital me idenë që do lindja vetë. Kisha panik, as nuk e kisha menduar fare momentin e lindjes dhe kur erdhi…nuk isha vërtetë gati. Por, të kisha pasur një ndjekje graduale, ndoshta mund ta kisha përballuar, por tani jam e lumtur për zgjedhjen e bërë. Shtatzëninë e kam pasur shumë të lehtë, e kam përjetuar shumë mirë. Kam lindur në javën e 41 se fëmija ishte pak “përtac”. E mira që të gjitha gratë të ndjekin një regjim të mos konsumojnë gjëra të dëmshme, pavarësisht se unë kam ngrënë pica”, tha Dojna.

Duket se tashmë, si nënë e re, ajo i është dedikuar totalisht Nolal Sol, por natyrisht me qëllimin për t’u rikthyer një ditë në ekran. E tashmë që është disa hapa larg nga “Top”- i, rrugëtimi i saj me gjasa do të vijojë në të tjera televizione. Megjithatë, do të na duhet të presim edhe pak, përpara se Dojnën ta shohim në ekran, ashtu si edhe ajo vetë është shprehur, në një format që i shkon për shtat.





