Meadow Walker, vajza e aktorit të ndjerë Paul Walker, i ka dhënë fund beqarisë dhe është martuar me aktorin Louis Thornton-Allan.

“Ne jemi të martuar”, shkroi 22-vjeçarja krahas një videoje që publikoi në llogarinë e saj në Instagram, me anë të së cilës zbuloi se i ka thënë “PO” përgjithmonë partnerit të saj. Çifti ndërmori këtë hap të rëndësishëm vetëm 2 muaj pas fejesës.
“Vogue” raporton se dasma u zhvillua “në fillim të këtij muaji”, por nuk jep një datë të saktë. Louis komentoi në postimin e Meadow, “Përgjithmonë“, shoqëruar me një zemër të purpurt dhe emojin e një globi. Ai gjithashtu ndau një koleksion të vogël fotografish nga dasma në llogarinë e tij në Instagram, duke shkruar thjesht: “Të dua”.

Kumbari i Meadow, Vin Diesel, ishte ai që e shoqëroi modelen drejt altarit në vend të babait të saj të ndjerë. Jordana Brewster ishte gjithashtu e pranishme në ceremoni, e cila u zhvillua në Republikën Domenikane.
“Pandemia ndikoi tek planet tona. Familja e Louis nuk ishte në gjendje të merrte pjesë. Shumë miq të ngushtë, të cilët ne i konsiderojmë familjarë, gjithashtu nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë për shkak të kufizimeve të udhëtimit,“- tha Meadow për “Vogue” gjatë kohës që fliste për listën e të ftuarve në ceremoni.

Në gusht, Meadow konfirmoi fejesën me aktorin kur publikoi një video në Instagram, me anë të së cilës tregoi unazën.
Meadow është vajza e Walker me Rebeça Soteros. Ajo jetoi me nënën e saj në Hawaii për 13 vjet përpara se të zhvendosej në Kaliforni me Walker në vitin 2011. Ajo ishte vetëm 15 vjeç kur babai i saj u vra në moshën 40-vjeçare në një aksident me makinë, në nëntor 2013.


