Seksologu kosovar Hajrullah Fejza ka treguar se si pandemia ka ndikuar tek çiftet.
Seksologu Fejza u shpreh se tek disa çifte është rritur intimiteti dhe cilësia e seksit për shkak se kanë qëndruar më shumë kohë bashkë, ndërsa tek disa të tjerë, sipas tij, është ulur për shkak të frikës dhe humbjes së njerëzve të dashur.

“Seksi është i mirë në lehtësimin e shumë simptomave dhe gjendjeve të tjera shëndetësore. Lehtëson stresin, rrit disponimin dhe vetëbesimin, përmirëson dukjen e jashtme, ul pragun e dhimbjeve të lehta, ul presion e gjakut, përmirëson sistemin imunitar, ruan shëndetin e zemrës, zvogëlon depresionin dhe ankthin, e rrit libidon dhe mundëson gjumë më të mirë.
Pandemia ka ndikuar në dy mënyra në fushën e marrëdhënieve seksuale. Përderisa te një kategori e caktuar e të qenit bashkë dhe me lëvizje të kufizuar është rrit intimiteti dhe rrjedhimisht edhe cilësia dhe shpeshtësia e marrëdhënieve seksuale te disa tjera infeksioni i kaluar, frika e madhe dhe humbja e njerëzve të afërt kanë ulur edhe cilësinë edhe shpeshtësinë e këtyre marrëdhënieve”, tha ai në një intervistë për Klan Kosova.
Seksologu kosovar tregoi se sa herë në ditë duhet të bëjnë seks çiftet dhe kur është stina e preferuar për kryer marrëdhënie seksuale.
“Shkencërisht nuk ka ndonjë stinë të preferuar apo që është më e përshtatshme për të bërë seks. Secila stinë i ka specifikat dhe sharmin e vet në të cilën çiftet plotësojnë nevojat e tyre seksuale.
Shpeshtësia apo frekuenca e marrëdhënieve seksuale është shumë e ndryshme në mes të çifteve. Ajo varet nga shumë faktorë: dëshira e partnerëve, koha, kushtet shëndetësore, ngarkesa në punë, mosha etj. Disa çifte konsumojnë disa marrëdhënie seksuale brenda ditës, të tjerat disa herë në javë ndërsa ka çifte që mjaftohen me një marrëdhënie në muaj ose edhe më rrallë”, u shpreh Fejza.

Seksologu kosovar, Hajrullah Fejza, dha këshilla për çifte se si të përshtaten seksualisht me njëri-tjetrin, pa u ndier në siklet, si edhe për të rinjtë pa përvoja seksuale.
“Marrëdhëniet seksuale në çift janë pasqyrim i cilësisë dhe mënyrës së jetës së çiftit. Secili çift është unik në mënyrën e konsumimit të marrëdhënieve seksuale. Kjo nënkupton që të dy partnerët duhet t’i përshtatin preferencat, dëshirat dhe mundësitë seksuale mes vete. Kjo më së miri arrihet me një komunikim të vazhdueshëm seksual para dhe gjatë seksit.
Duke u shpreh lirshëm më njëri-tjetrin ata e bëjnë më dije partnerin kur ndihen të eksituar, si duhet stimuluar njëri-tjetrin dhe çfarë i pengon në veprimet e njëri-tjetrit. Duke qenë të lirë në maksimum me njëri tjetrin ata mund të plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit dhe të realizojnë kënaqësitë dhe preferencat e veta seksuale. Përshtatje dhe komunikimi seksual duhet të ndodhin në vazhdimësi sepse kështu çifti e shmang monotoninë seksuale dhe e rritë nivelin e kënaqësisë seksuale.
Ndërsa për të rinjtë e papërvojë në seks është shumë e rëndësishme që të marrin informata bazike rreth shëndetit seksual që përfshijnë njohjen e anatomisë së trupit dhe organeve gjenital, përgjigjen seksuale, komunikimin seksual, respektimin e të drejtave seksuale dhe informata për seks të sigurt”, këshilloi seksologu.
Pyetjes “A kërkojnë njerëzit medikamente për të përmirësuar dëshirën e tyre seksuale?”, ai iu përgjigj: “Deri më tani nuk ka asnjë medikament të aprovuar shkencërisht për rritjen e dëshirës seksuale të djemtë dhe burrat. Kohëve të fundit është aprovuar medikamenti “Flibanserinë” për rritjen e dëshirës seksuale te vajzat dhe gratë. Ka shumë raste kur klientët kërkojnë medikamente të tilla. Ne, ju sqarojmë situatën e përmendur dhe rekomandojmë marrjen e “Flibanserinës”, por momentalisht është shumë vështirë për ta siguruar sepse nuk gjendet në tregun tonë dhe jashtë akoma kushton shumë shtrenjtë.”
/Panoramaplus.al
© Panoramaplus.al
