Një foshnje ka vdekur pasi u sulmua nga një qen endacak në një spital në Indi. Prindërit e foshnjës pretendojnë se fëmija i tyre ishte gjallë dhe në sallën operative kur qeni e sulmoi.

Megjithatë spitali pohon se foshnja kishte lindur e vdekur. BBC raporton se spitali në shtetin verior të Uttar Pradesh është mbyllur dhe funksiononte pa licencë.
Policia tha se janë në pritje të rezultateve të autopsisë së foshnjës për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
“Sipas provave fillestare foshnja është mbytur nga një qen. Ne po hetojmë se si qeni hyri në spital,”- tha Manvendra Singh për BBC. “Spitali thotë se foshnja lindi e vdekur dhe nuk vdiq nga sulmi. Por prindërit besojnë se mjekët po gënjejnë. Ne po hetojmë tërësisht çështjen.”
Babai i fëmijës tha për “Times of India” se i porsalinduri ishte brenda sallës operative kur një anëtar i stafit të spitalit doli duke vrapuar nga dhoma, duke thënë se brenda kishte hyrë një qen.
“Foshnja kishte shenja të kafshimit të qenit në kraharor dhe syrin e majtë,”- tha babai, Ravi Kumar.
Ai gjithashtu akuzoi stafin se u përpoqën ti jepnin ryshfet që të qëndronte i qetë.
Ky nuk është sulmi i vetëm vdekjeprurës nga qentë endacakë në Uttar Pradesh.
Një 3-vjeçar dhe një 7-vjeçar u vranë nga qentë në dy incidente të ndara vitin e kaluar.
Në vitin 2018, fshatarët e rrethit Sitapur thanë se qentë kishin vrarë 12 fëmijë në një seri sulmesh.
© Panoramaplus.al

