Pasi u largua nga qendra e vëmendjes, Linda Evangelista u kthye në pasarelë gjatë Javës së Modës në Nju Jork, duke mbyllur sfilatën e Fendi.

Më 9 shtator, 57-vjeçarja kaloi në pasarelë e veshur me një fustan elegant blu të Tiffany-s, të stiluar me vathë diamanti dhe doreza mëndafshi. Ajo mbante gjithashtu çantën ikonë Baguette të markës luksoze, e cila festoi 25 vjetorin e saj këtë vit.

Evangelista sfiloi përpara një turme të mbushur me yje në rreshtin e parë, ku përfshiheshin Kim Kardashian dhe Sarah Jessica Parker.
Ajo eci për herë të fundit në pasarelë në shfaqjen e Dior Haute Couture Vjeshtë/Dimër 2008 në Versajë, Francë. Shfaqja e fundit e Fendi shënon gjithashtu kalimin e parë të Evangelista në pasarelë që kur supermodelja – e cila u bë e famshme si pjesë e skenës së modës në vitet 1990 së bashku me yje të tillë si Cindy Crawford dhe Naomi Campbell – tregoi se u deformua nga një procedurë kirugjikale.

Procedura kirurgjikale në fjalë është ajo e ngrirjes së yndyrës e quajtur kriolipolizë.
“Për ndjekësit e mi që kanë pyetur veten pse nuk kam punuar ndërkohë që karriera e bashkëmoshatarëve të mi po lulëzon, arsyeja është se u shpërfytyrova brutalisht nga procedura CoolSculpting e Zeltiq , e cila bëri të kundërtën e asaj që premtoi”, shkroi ajo në Instagram në shtator të vitit 2021.
“Më shtoi, jo pakësoi qelizat dhjamore dhe më la të deformuar përgjithmonë edhe pas dy operacioneve të dhimbshme, të pasuksesshme, korrigjuese. Kam mbetur, siç e kanë përshkruar mediat, “i panjohur”- shtoi ajo.

Sipas postimit, Evangelista zhvilloi hiperplazi dhjamore paradoksale (PAH), e cila është raportuar si një efekt anësor i CoolSculpting dhe përfshin rritjen e qelizave yndyrore në vend të tkurrjes, sipas Healthline .
“PAH jo vetëm që më ka shkatërruar jetën, por më ka dërguar në një cikël depresioni të thellë, trishtim të thellë dhe në thellësinë më të ulët të urrejtjes ndaj vetvetes,” vazhdoi ajo.
Atë muaj, ajo ngriti një padi kundër Zeltiq Aesthetics Inc. Në përgjigje të padisë, një përfaqësues i CoolSculpting i tha gazetës ‘People’ se procedura “është studiuar mirë me më shumë se 100 botime shkencore dhe më shumë se 11 milionë trajtime të kryera në mbarë botën” dhe tha se efektet anësore “vazhdojnë të jenë të mirëdokumentuara në informacionin e CoolSculpting për pacientët dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor”.
Në korrik, Evangelista njoftoi në Instagram se ajo e ka zgjidhur padinë dhe ishte “e lumtur që e la këtë çështje prapa”.
© Panoramaplus.al
