9 Mars, 2019

Tuna Sejdiu rikthehet në skenë si diva, koncert nën masa të rrepta sigurie me Armend Rexhepagiqin dhe Ylli Limanin


Një album me 7 këngë, sa ditët e një jave të titulluar “Fortuna”. Ky është ditari më i ri artistik si nënë i Tuna Sejdiut, të cilin vendosi ta promovonte dje më 8 Mars.

Këngëtarja e njohur ka mbajtur një koncert nën masa të rrepta sigurie mbrëmjen e së premtes, në qytetin e saj të lindjes Shkup (Maqedoni). Artistja e kishte paralajmëruar më parë publikimin e albumit të saj të ri, që është një përmbledhje këngësh të ëndrrave të saj.

Në këtë album, ajo ka punuar me këngëtarin e njohur Armend Rexhepagiqi, por jo vetëm. Tuna paska arritur ta bindë Armendin për të marrë pjesë në njërën nga këngët e saj të këtij albumi, krijimet brenda të cilit i deputoi mbrëmë në koncertin, ku nuk u lejua hyrja e mediave, si dhe shkrepja e fotove apo xhirimi i videove nga spektakorët e pranishëm në koncert.

Kësaj here me statusin e nënës nga martesa me muzikantin nga Prishtina Patris Berisha, Tuna zgjodhi Ditën e Gruas si ditën e shënuar për koncertin e saj. Kjo, edhe për faktin që ky është koncerti i parë i saj si nënë e djalit, Tian.

Duke njohur potencialin muzikor të saj dhe Armend Rexhepagiqit, të ftuarit mezi prisnin të dëgjonin këngën e tyre me titull “Harrova”, që është dhe ndër më të rëndësishmet e albumit “Fortuna”. Në albumin e ri ajo ka edhe një këngë në bashkëpunim me Yll Limanin, i cili po ashtu u ngjit në skenën e koncertit.

“Shumë gjatë kom ëndërru me pas një album si ky. Më në fund. Mars 2019”, ka shkruar Tuna në “Instagram”. Fansave u mbeti mendja te kënga e fundit me titull “Nëse vdes e re”.

Sa i përket koncertit, të ftuar ishin edhe këngëtarja Arilena Ara dhe menaxheri i saj Popi Kola. Koncerti me balada dhe orkestracion modern u ndalua të filmohej, pasi do të trasmetohet nga vetë këngëtarja në kanalin e saj në “Youtube”.

Pas një shkëputjeje të gjatë, këngëtarja shqiptare nga Maqedonia u rikthye para disa muajsh në muzikë me një bashkëpunim me artistin shqiptar që jeton në Nju Jork, Seven Saraçin.

“Maria” mbante titullin kënga e tyre më e re, që u punua nga vetë Saraçi në studion e tij. Në klipin e këngës “Maria”, ajo shihej në shtrat me një prej modeleve më të njohura dhe seksi shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vildane Zenelin.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al