Gruaja e ish-legjendës së NBA po lufton për të pranuar humbjen e bashkëshortit dhe vajzës së saj.

Në një postim në Instagram Vanessa Bryant tha se është e pikëlluar dhe e zemëruar për vdekjen e Kobe dhe 13-vjeçares Gianna në aksidentin me helikopter muajin e kaluar.
37-vjeçarja është parë rrallë në publik që pas ngjarjes tragjike, që i mori jetën 9 personave.
Megjithatë është treguar e gatshme të shprehë ndjenjat e saj në rrjetet sociale.
“Truri im refuzon të pranojë që Kobe dhe Gianna nuk janë më,”– shkroi ajo. “Nuk mund ti pranoj të dyja në të njëjtën kohë. Është sikur përpiqem të pranoj se Kobe nuk është më, por trupi refuzon të pranojë se Gigi nuk do të kthehet më kurrë tek unë.”

Bryant tha se ndjeu zemërim kur humbi bashkëshortin e vajzën dhe se i duhet t’i kujtojë vetes që të jetë e fortë për tre vajzat e tjera.
“Pse duhet unë të jem në gjendje të zgjohem në një ditë tjetër kur vogëlushja ime nuk është në gjendje ta ketë këtë mundësi? Jam shumë e inatosur. Ajo kishte kaq shumë për të jetuar. Më pas më kujtohet se duhet të jem e fortë dhe të jem këtu për tre vajzat e mia. E zemëruar që nuk jam me Kobe dhe Gigi, por mirënjohëse që jam me Natalia, Bianka dhe Capri. E di që ajo që po ndjej është normale. Është pjesë e procesit të pikëllimit. Thjesht doja ta ndaja nëse dikush po përjeton një humbje si kjo. O Zot sa do të doja që të ishin këtu dhe ky makth të merrte fund. Duke u lutur për të gjithë viktimat e asaj tragjedie të tmerrshme,”- tha Vanessa.
Vdekja e Bryant, një nga figuarat më të admiruara të sportit në botë, shkaktoi pikëllim tek tifozët dhe atletët e tjerë në mbarë globin.


