Reperi Mac Miller, emri i plotë i të cilit ishte Malcolm James McCormick, vdiq në shtëpinë e tij në Los Anxhelos më 7 shtator 2018, në moshën 26-vjeçare, nga një koktej vdekjeprurës i fentanilit, kokainës dhe alkoolit.

Një nga tre personat e akuzuar në lidhje me mbidozën fatale, Stephen Andrew Walter, ka marrë përsipër fajin dhe ka pranuar dënimin me 17 vjet burg për pilulat që i shiti reperit pak para vdekjes së tij, raporton “BBC”. Sipas kushteve të marrëveshjes, prokurorët duhet të heqin dorë nga akuzat e tjera që rëndojnë mbi të.
“Kjo është një marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe për të bërë 17 vjet burg. Gjykatësi ose do ta pranojë ose do ta refuzojë atë. Nëse ai e pranon, nuk do të ketë fuqi për ta dënuar më rëndë klientin tim. Nëse ai e refuzon, nuk ka marrëveshje,“- tha për revistën “Rolling Stone” avokati i Walter, William S. Harris.

Walter do të paraqitet në një seancë dëgjimore më 8 nëntor për të ndryshuar kërkesën e tij nëse marrëveshja e propozuar pranohet.
Një nga të pandehurit në këtë rast, Cameron James Pettit, gjithashtu arriti një marrëveshje dhe pranoi fajësinë. I pandehuri i tretë, Ryan Michael Reavis, ka një gjyq të caktuar më 1 mars.
Sipas aktakuzës, Pettit kishte rënë dakord më 4 shtator që t’i shiste McCormick 10 pilula oksikodoni të quajtura “blu”, kokainë dhe qetësuesin “Xanax”. Kur bëri dorëzimin më 5 shtator, Pettit dyshohet se i dha McCormick pilulat e falsifikuara të oksikodonit që përmbanin fentanil.


