24 Nëntor, 2018

Terrori “alla Renato Mekolli” praktikohet nga moderatorët, Flor Agalliu thyen pjatat në program


Shefi i Kuzhinës Renato Mekolli duket se po e kthen në ngjarje të zakonshme thyerjen dhe përplasjen e pjatave në emisionet televizive.

Edhe moderatori Flori Agalliu ka reaguar në të njëjtën mënyrë gjatë emisionit “Në shtëpinë tonë”, teksa kishte të ftuar një nga ish-konkurrentët e “Hell’s Kitchen”.

Erjon Merdini ishte duke gatuar dhe Flori kërkoi menjëherë ndërprerjen e emisionit, duke bërtitur dhe filloi të thyente pjatat. Fillimisht, ish-konkurrenti i “Hell’s Kithchen” nuk e kuptoi çfarë po ndodhte dhe me qetësi e pyeti moderatorin se ç’kishte. “Qetësohu, o plak!” dëgjohej teksa i thoshte Erjoni Florit dhe vazhdonte të gatuante.

Pas pak Flori nuk e mbajti dot të qeshurën dhe i tha se kjo ishte thjesht një shaka, ndryshe nga shef Renato që, sipas tij, bërtet seriozisht. “Se kur nxehem, i thyej me pjata, me filxhanë! ‘Hell’s Kitchen’ ndryshon orarin e transmetimit? Jo! Konkurrenti i eleminuar Erjon Merdini, i ftuar ‘Në shtëpine tonë’ vihet në lojë nga Florian Agalliu”, shkruan moderatori në videon e publikuar në “Instagram”.


Kjo nuk është hera e parë që Renato Mekolli imitohet nga prezantues të tjerë, siç ndodhi me Fatma Haxhialiun. Ndërkohë që imitimet e përjavshme në spektaklin “Portokalli” me “Kuzhina e hallit” nga Gaz Paja janë konsideruar nga publiku si një dublim i vërtetë “Hell’s Kitchen”.

Ky program cilësohet një nga formatet më të suksesshëm në zhanrin “reality” në të gjithë botën! Një show që ndërthur garën, tensionin, pasionin dhe gatimin. “Hell’s Kitchen” numëron në Amerikë 17 sezone dhe i dedikohet kuzhinës së shefit. Kur ne shkojmë në një restorant, çfarë ndodh përtej shijes, delikatesës dhe emocionit që marrim nga të shijuarit të një recete me 5 yje? E vërteta është që ka shumë mund, përgatitje, tension, kujdes dhe përkushtim.

Renato Mekolli është figura kryesore e këtij emisioni, i cili rikthehet pas një tjetër programi gatimi, “Masterchef Albania”. Por kësaj here, ai është etiketuar si kuzhinieri i djallit, një taktikë kjo e ndjekur nga moderatori amerikan, i cili po ashtu bërtet dhe thyen pjata në kuzhinën e famshme. Me prezantimin e projektit, një komentues e pyeti nëse do të bërtasë kaq shumë në vazhdim dhe ai u përgjigj: ”Edhe më keq”.

PANORAMA PLUS

© Panoramaplus.al