Reperi i njohur Gramoz Aliu, ose ndryshe me artistik Mozzik, është marrë në pyetje nga policia gjatë mbrëmjes të së martës (16 maj) pasi dyshohet se ka kërcënuar një person.

Këngëtari nga Ferizaj dyshohet se ka kërcënuar me armë një person, si pasojë e një mosmarrëveshje momentale që kanë pasur me njëri –tjetrin.
Pas marrjes në pyetje nga policia, Mozzik është liruar në procedurë të rregullt.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet tashmë dhe ka ngritur dy akuza kundrejt reperit.
Mozzik do të hetohet nën dyshimin se ka kryer veprat “Kanosje” dhe “Përdorim i armës”.
Teksa hetimet po zhvillohen lidhur me këtë rast, arma të cilën reperi e posedonte me leje, është sekuestruar menjëherë nga Policia.
Sipas gazetës ‘Sinjali’, Mozzik e ka mohuar se e ka kërcënuar me armë personin në fjalë, teksa ka theksuar gjithashtu se armën nuk e ka përdorur fare.
Rasti është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili ka thënë se arma është dorëzuar dhe janë dhënë dy dëshmi të ndryshme lidhur me përdorimin e armës.
“I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pasi kanosja nuk ka qenë e atij niveli shumë serioz. Kanosja ka ekzistuar mirëpo nuk ka qenë me seriozitet për rrezik se mund të përsëritet, prandaj nuk është ndaluar. Arma me leje është sekuestruar. Dy dëshmi i kemi lidhur me rastin dhe hetimet janë duke vazhduar në këtë drejtim”, tha Jashari për Sinjalin.


