Reperi Rigels Rajku (Noizy) ka zbuluar detaje të reja rreth koncertit që po organizon, ku do të jenë të ftuar disa nga emrat më të njohur të hip-hopit në Shqipëri dhe Europë.

Në listën që do të përformojnë në koncertin e Noizyt do të jenë artistë si: Kida, MC Kresha, Lyrical Son, Ledri Vula, Elgit Doda, Dhurata Dora, Yll Limani, Gue, Ghali, Sfera Bbasta, Krept, Konan, Loredana.
Ajo që bie në sy është se kësaj liste deri më tani i mungon emri i Stresit (Arkimed Lushaj) dhe i një tjetri reperi të njohur, Duda (Burim Osmani). Noizy është pyetur gjatë një interviste në “Abc e Pasdites” se pse dy reperët nuk do të jenë pjesë e festivatit.
“Kush tha që s’do të jenë?”– u përgjigj Noizy duke lënë kështu të kuptohet se ai dhe Stresi do të bashkohen për herë të parë në skenë pasi i dhanë fund armiqësisë.

Rreth një vit më parë Stresi dhe Noizy ‘bënë paqe’ dhe shpejt arritën të bëheshin shokë të ngushtë, si në fillimet e tyre. Jo më larg se pak javë më parë, komentet mes tyre në Instagram bënë xhiron e rrjetit me Stresin që i kërkonte Noizyt një kostum nga koleksioni i ri dhe Noizyn që e konsideroi atë ‘familje’.
Ndonëse, vitet e fundit dy reperët ishin treguar “të butë” ndaj njëri-tjetrit nëpër intervista, askush nuk e priste që ata të bëheshin sërish miq e të linin pas çdo problem që ka ndodhur në të shkuarën. Nëpërmjet dy videove live në llogaritë e tyre në Instagram Noizy dhe Stresi informuan fansat në 2021 se kanë bërë më në fund paqe dhe kanë falur njëri-tjetrin! Fillimisht ata thanë se thjeshtë nuk do merren më me njëri-tjetrit por shumë shpejt gjërat ndryshuan. Prej asaj kohe dy çunat kanë mbështetur projektet e njëri-tjetrit në rrjetet sociale, teksa nuk kanë munguar komentet edhe as takimet.
Fansat e repit në Shqipëri e dinë shumë mirë rivalitetin që ka ekzistuar mes Noizyt dhe Stresit ndër vite dhe fakti që sot flitet për një bashkëpunim mes tyre duket ende i pabesueshëm. Që kur ata rregulluan marrëdhëniet të gjithë ndjekësit kanë patur vetëm një pyetje: A do sjellin ndonjë këngë bashkë?
Gjatë një interviste virtuale me ndjekësit në Instagram, Stresi është pyetur se nëse do të sjellin një bashkëpunim së bashku. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një dueti mes tyre, por duket se ende nuk ka asnjë plan konkret. “Çdo ditë këtë pyetje keni… E rëndësishme është që gëzojmë respekt për njëri-tjetrin dhe jemi bashkë. Për të tjerat vijnë vetë pa plane. Respekt për të gjithë fansat. Vetëm kështu të bashkuar, nuk ka asgjë që na thyen.“- ka shkruar reperi.
© Panoramaplus.al
