“Robi plaket kur don vetë” është titulli i programit të ri që do të transmetohet në “Klan Kosova” e që do ta prezantojë muzikanti Robert Berisha si showman.
Me këtë titull me dykuptimësi, artisti më seksi i Kosovës bën një start të ri tashmë që ka mbushur 42 vjeç. Me pamjen që ka e fizikun super në formë, nëpërmjet emrit të tij të shkurtuar Robi, do t’u japë një mesazh fansave se në fakt, secili mund të plaket kur do vetë dhe se mosha është thjesht numër.
Me tipin e çlirët e gjithë batuta, Roberti do të shfaqë në ekran ndoshta armën e tij më të fortë, atë të komunikimit e të bërit show. “Mbreti i tavolinave me miqtë” do të konkurrojë moderatorët e tjerë në ekranet shqiptare dhe mund ta bëjë më së miri.
Pak kohë më parë, Robert Berisha zbuloi dëshirën e tij për të pasur një emision të vetin, që ta kthente në markë. Dhe ëndrra e këngëtarit të njohur po bëhet realitet.
Me anë të një postimi në “Instagram”, ai zbuloi se së shpejti do të nisë emisioni i tij “Robi plaket kur don vetë”, që do të transmetohet në “Klan Kosova”.
E nisur nga titulli, bazuar në një shprehje popullore, por që i faturohet vetë Robertit, që shkurt i thërrasin Robi, emisioni duket se do të ketë një natyrë argëtuese me atë vetë protagonist.
Në një intervistë, Robert Berisha zbuloi se po punonte për ndërtimin e një emisioni të vetin, që sipas tij do jetë shumë ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim deri tani në ekranet shqiptare.
“Nëse realizohet show im, nëse e realizoj atë ëndërr që kam, do jetë më ndryshe nga emisionet e tjera që ka pasur Kosova apo Shqipëria. Duke marrë parasysh se luaj në piano, këndoj dhe kam sens humori, do të jem më ndryshe. VIP-a nuk do të ftoj shumë sepse janë të ngarkuar, si edhe janë konsumuar duke qenë se kanë shumë ftesa për intervista. Do jenë mysafirë të profesionit. Do jetë 1 orë Roberti në ekran, me gjithçka që ai di të bëjë,”- u shpreh Roberti.
E tashmë që gjithçka është gati, nuk kanë munguar lajmet në lidhje me jetën e tij private pas divorcit nga këngëtarja Nora Istrefi, martesë nga e cila kanë një vajzë.
Më pas, ai u përfol për një lidhje me modelen Xhesika Kadiu, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fakt, ishte kjo e fundit që i konfirmoi thashethemet duke publikuar foto krah këngëtarit dhe duke deklaruar se do ta dashurojë gjithmonë.
Bëri habi fakti që modelja e konfirmoi lajmin pasi ata ishin ndarë, që nuk ndodh shpesh në botën e showbizz-it. E pas kësaj deklarate, ishte vetë Roberti që pohoi publikisht se për disa kohë do të qëndrojë beqar dhe se ndihet shumë mirë kështu.
“Jemi duke jetuar në një vend të vogël dhe sado me qenë Kosova e madhe, për ne artistët është e vogël se nuk ka nga të ikësh. Roberti është i shoqërueshëm dhe mund të ketë shoqëri me femra. Mund të dalin dhe llafe, por Roberti është single. Edhe nuk mund të them sa kohë do të qëndrojë kështu, por jam aq rehat dhe aq mirë. Raportet me Norën i kemi shumë të mira dhe gjithë ditën e kaloj me vajzën, Renee. Kështu që, kur jam mirë, nuk kam pse me e prish,”- tha Roberti.
Pas kësaj deklarate, paparazzët e fotografuan sërish krah modeles, që lanë të kuptohet se në fakt marrëdhënia e tyre po vazhdonte. Nuk dihet se ç’ndodhi pak ditë më parë, që modelja të bënte sërish deklaratën e saj në “Instagram”, në rubrikën ku u përgjigjej ndjekësve.
E pyetur se a është beqare, ajo është shprehur se është vetëm dhe se nuk ka kohë për një person tjetër në jetën e saj, pasi kërkon shumë kohë.
Ndërsa e pyetur se çfarë i pëlqen më shumë si tipar te një mashkull, Xhesika ka habitur me përgjigjen. “Më pëlqen kur meshkujt vishen si plehra, u shkon shumë,”- duke i përgjithësuar të gjithë meshkujt si plehra.
Nuk dihet nëse tentativat për t’u ribashkuar pas ndarjes së parë e kanë acaruar marrëdhënien mes tyre.
Historia e Robertit me Xhesika Kadiun u zbulua me disa foto të tyre duke pushuar në Turqi, për t’u pasuar nga foto të tjera ku ata shiheshin në shoqërinë e njëri-tjetrit.
U fol se modelja u bë shkas për divorcin e Robertit nga Nora, madje u tha se “Anna” e Norës i dedikohej pikërisht kësaj historie. Por më vonë zërat u hodhën poshtë si nga modelja, ashtu dhe nga vetë Nora.






















