Aktori i njohur Alec Baldwin u përfshi në një tragjedi në sheshin e xhirimit të filmit ku ai vetë është producent, kur ai qëlloi me armën që mbante në dorë duke vrarë drejtoreshën e fotografisë dhe plagosur regjisorin e skenaristin Joel Souz.

Kjo ngjarje e rëndë që ka tronditur jo pak kinematografinë botërore, duket për ironi të fatit të jetë përgjigja e një pyetje që vetë aktori protagonist, ka ngritur disa vite më parë.
Alec Baldwin, në një postim të tij në Tëitter do të shkruante: “Pyes veten se si është të vrasësh dikë pa dashje”.

Asokohe, aktori i njohur me këtë status i referohej një ngjarje që kishte ndodhur në Hungtingon, në shtator të 2017, kur policia qëlloi për vdekje një person të dyshuar.
Fatkeqësisht, aktori e ka marrë sot përgjigjen, kur aksidentalisht në shesh xhirimin e filmit të tij “Rust”, qëlloi për vdekje Halyna Hutchins si edhe plagosi regjisorin dhe skenaristin Joel Souz.
Mediat e huaja shkruajnë se tashmë autoritetet kanë nisur hetimet mbi ngjarjen.
Sipas “CNBC”, filmi po filmohej në New Mexico, siç ka bërë të ditur edhe Zyra e Sherifit të Qarkut Santa Fe. Hutchins u transportua me helikopter në Spitalin e Universitetit të New Mexico-s, ku u shpall e vdekur. Souza u dërgua në Qendrën Mjekësore Rajonale Christus St. Vincent për mjekim.
Deri më tani, Policia nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj aktorit Alec Baldwin.
ROLI I ALEC BALDWIN
Aktori me fame botërore, Alec Baldwin, tani në moshën 63 vjeçare është një bashkë-producent në filmin “Rust” dhe luan rolin e Harland Rust. Sipas skenarit të filmit nipi i tij 13-vjeçar është dënuar për vrasje aksidentale. Harland udhëton drejt Kansas për të nxjerrë nipin e tij nga burgu. Dy të arratisurit duhet të kalojnë Marshal Wood Helm dhe gjuetarin Fenton Lang për të shpëtuar.
Të enjten e kaluar, Baldwin postoi një fotografi të vetes në Instagram, ku shfaqej i veshur me kostum për shkak të filmit. Në këmishën e tij kishte gjithashtu gjak (bojë të kuqe për skenën e filmit).

I njohur për portretizimin e Presidentit Donald Trump në “Saturday Night Live” dhe për rolin në komedinë e NBC “30 Rock”, Baldwin ka fituar çmime të shumta “Emmy” dhe “Golden Globe”, si dhe është nominuar për një çmim “Academy Award” dhe “Tony”.
Baldwin ka drejtuar “SNL” 17 herë dhe ka luajtur tek filmat: “The Departed”, “Glengarry Glen Ross” dhe “Mission Impossible”. Ai ishte gjithashtu producent në filmin e regjisorit Souza “Crown Vic”.

© Panoramaplus.al

