10 Korrik, 2022

Si janë sot raportet mes Dua Lipës dhe Bella Hadid? ‘Java e Modës në Paris’ i tregoi të gjitha rreth dy ish-kunatave


Dua Lipa dhe Bella Hadid ishin dy kunatat më seksi të Hollywood një vit më parë, por si janë raportet mes tyre sot që Dua dhe vëllai i modeles, Anwar, i kanë dhënë fund lidhjes?

Artistja me origjinë shqiptare dhe bukuroshja e pasarelave ishin të pandara gjatë 2021. Për shkak se Dua kaloi shumë kohë në SHBA pas pandemisë ato u lidhën shumë bashkë. Dy vajzat shoqëroheshin kudo, për shopping, xhiro, dreka e darka.

Madej ato i kaluan si pushimet e verës, ashtu edhe ato të dimrit bashkë. Dua e prezantoi Bella-n me shoqet dhe motrën e saj, Rinën me të cilën Bella krijoi po ashtu një miqësi të ngushtë.

E megjithatë pas ndarjes së Dua dhe Anwar në nëntor 2021, bukuroshet nuk janë parë më bashkë. Ka patur aludime të shumta lidhur me raportet e tyre gjatë këtyre muajve. Por, duket se gjërat mes Dua dhe familjes së ish-të dashurit janë si më parë.

Ajo ishte javën e kaluar pjesë e pasarelës së ‘Balenciaga’ në ‘Javën e Modës në Paris’ ku sigurisht ishte edhe Bella. Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, dy yjet shihen në shoqërinë e njëra-tjetrës, Rinës dhe disa miqve gjatë darkës së markës luksoze.

Ato shihen duke buzëqeshur e biseduar duke treguar se çdo gjë është shumë mirë. Madje në një moment Bella shkrep disa foto Duas ndonëse ato nuk u shfaqën me njëra-tjetrën në rrjetet sociale.

Përveç kësaj vihet re se Dua dhe Anwar e ndjekin ende njëri-tjetrin në Instagram e po ashtu edhe familjarët. Prindërit, motra e vëllai i Duas shkëmbejnë pëlqime dhe komente me modelin e po ashtu edhe Dua me motrat e tij Gigi dhe Bella Hadid.

Dyshja e nisi lidhjen në qershor të 2019. Sipas raportimeve nga TMZ, Dua u prezantua me Anwar nga Gigi, e cila është mike shumë e mirë me shqiptaren. Është raportuar se Anwar i kërkoi Dua Lipës një takim më pas në qershor. Dua dhe Anwar u panë publikisht së bashku në festivalin muzikor britanik ‘Summer Time Hyde Park’ në korrik 2019 dhe madje u fotografuan duke u puthur!

Gjatë një interviste me British Vogue në shkurt 2021, Dua Lipa foli për marrëdhënien e tyre duke shpjeguar se ishin një çift shumë privat. “Ne kemi të gjitha këto kujtime dhe përvoja të jashtëzakonshme dhe nëse ka diçka që duam ta ndajmë së bashku, atëherë OK, kjo është kënaqësi,” tha ajo. “Por në të njëjtën kohë, ne jemi mjaft privatë – do t’ju tregojmë vetëm aq sa duam që të shihni.”

Në 2019 Anwar ishte në Kosovë me Duan dhe familjen e saj për “Sunny Hill Festival” dhe vitin e kaluar ishte në Shqipëri ku Dua qëndroi disa javë për pushimet verore, mes Tiranës, Krujës dhe jugut të Shqipërisë. Anwar u shpreh se i pëlqeu shumë vendi ynë, madje asokohe u pa me veshje kombëtare teksa mori edhe fanelën e ekipit të Tiranës nga kryebashiaku Erion Veliaj.

Pak javë më parë babai i kënëgtares, Dukagjini, ka reaguar zemërthyer në Instagram pas vdekjes së regjisores e producentes Vjosa Berisha. E mes shumë komenteve ngushëlluese, rrëmbeu vëmendjen ai i miliarderit dhe babait të Anwar, Mohamed Hadid. “Në duart e Zotit, ajo do prehet në paqe. Shpresoj që Zoti të hap dyert e parajsës dhe t’i lehtësojë rrugën”- shkruan ai duke ngushëlluar ish-krushkun.

© Panoramaplus.al