Aktori amerikan, Jamie Foxx duket se është rikuperuar plotësisht nga komplikacionet që pati me shëndetin e tij, e cila pushtoi mediat, Hollywood-in, por edhe familjen që nuk jepte informacione për publikun.

Të shtunën në mëngjes, ylli 55-vjeçar i ekranit postoi një video në Instagramin e tij, duke iu referuar për herë të parë “ferrit” që tha se kaloi.
“Një miliardë faleminderit për të gjithë, ka qenë një rrugë e gjatë, por të gjitha lutjet, njerëzit e mëdhenj dhe Zoti më ndihmuan ta kaloja këtë”, ka shkruar ai në mbishkrimin e klipit.
Në video ai ndër të tjera thotë: “Nuk mund t’jua përshkruaj as sa më çoi dhe si më ktheu, kalova diçka që mendova se nuk do ta kaloja kurrë”.
Ai pranoi se shumë njerëz prisnin një përditësim për gjendjen e tij, por u shpreh: “Të jem i sinqertë me ju, nuk doja që ju të më shihnit kështu. Unë dua që ju të më shihni duke qeshur, të argëtoheni, të bëni shaka, të bëni një film ose shfaqje televizive. Nuk doja që ju të më shihnit me tuba që më kalonin duke u përpjekur të kuptoja nëse do t’ia dilja”.
Pas klipit, aktori tha se motra e tij Deidra Dixon dhe vajza Corinne “më shpëtuan jetën” dhe gjithashtu falënderoi Zotin dhe “mjekët e mëdhenj” që e trajtuan atë.
Fox gjithashtu donte të përgënjeshtronte me humor atë që shkruhej për të, si për shembull se u verbua apo se u paralizua.
“Tani, e dini, të qenit i heshtur ndonjëherë i nxjerr gjërat jashtë kontrollit. Njerëzit thonë atë që kam, disa thanë se jam i verbër, por siç e shihni… sytë po funksionojnë mirë. Ata thanë se jam i paralizuar – nuk jam i paralizuar”, tha ai.
Më vonë, aktori nuk mundi t’i mbante lotët, duke thënë: “Por unë kam kaluar… kam qenë në ferr dhe jam kthyer. Dhe rruga ime drejt rimëkëmbjes kishte disa gropa. Por unë po kthehem. Dhe unë jam në gjendje të punoj”.
I prekur dukshëm në fund, “Po dërgoj gjithë dashurinë që kam marrë gjatë gjithë situatës. Unë e di se çfarë thonë ata për njerëzit që qajnë në video – ju mund të bëni një film të dytë – unë nuk do të bëj një të dytë. Është ajo që është. Unë jam duke u kthyer”.
© Panoramaplus.al

