Mbrëmë (28 gusht) në natën e fundit të festivalit “Sunny Hill” në Tiranë është shfaqur një imazh që ka befasuar mbarë shqiptarët.

Bëhet fjalë për flamurin kombëtar me yllin e komunizmit mbi të, e cila për një moment i riktheu shumë shqiptarë në vitet e errëta të këtij regjimi në shekullin e kaluar.
Një paraqitje e tillë u pa si ofenduese për shumë bashkëkombës dhe familje që kanë vuajtur në vitet e vështira të asaj kohe.

Mes reagimeve të shumta në rrjetet sociale, kjo bëri që në Twitter të ketë një deklaratë edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Veliaj si mbështetës i këtij festivali, me projektin e sivjetshëm “Tirana kryeqytet evropian i rinisë”, ka shkruar në Twitter se imazhi i tillë është satirë e një kënge të interpretuar nga grupi Asgjë Sikur Dielli.
“Nuk luftohet komunizmi me metoda komuniste! Kënga është një satirë ndaj regjimit! Alban Nimani – dhëndër në Tiranë në një nga familjet më të përndjekura – e ka prodhuar para tetë viteve! Uroj të luftoni me të njëjtin zell sekretarin e PPSH në krye të PD dhe sigurimin aleat”, shkroi kryetari i Tiranës në Twitter.
Kënga me titull “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar?” e Asgjë Sikur Dielli, ka të shfaqur imazhin e flamurit kombëtar me yllin e komunizmit edhe në videon e tyre shoqëruese të këngës në YouTube.
© Panoramaplus.al
