Këto ditë, në media ka qarkulluar lajmi se Capital T dhe Majk ishin zënë me njëri-tjetrin dhe se shkak u bë bashkëpunimi i Capital me Ledri Vulën.
Së fundmi, dy reperët kanë sqaruar njëherë e mirë marrëdhënien mes tyre.

Capital T dhe Majk kanë hyrë në një video “live” në “Instagram” dhe kanë zbuluar se mbeten miq.
“Unë kur e kam shok dikë, e kam për përgjithmonë, jo për një muaj, dy muaj. Majku është shoku im, nuk ka pikë xhelozie ndaj meje, as unë ndaj atij. Jemi rrit bashkë si shokë, si artistë. Ka veç dashuri, jo urrejtje”, u shpreh Capitali.

Si Majk dhe Capital kanë bërë të ditur gjatë kësaj videoje “live” se ata do ta mbështesin gjithmonë njëri-tjetrin. Kujtojmë që pak ditë më parë, pasi Capital T lançoi detajet e albumit të ri “Skulpturë”, zbuloi se këtë herë ka bërë duet me Ledri Vulën.
Më pas, bazuar në një status të Majkut, sapo mësuan për këtë bashkëpunim, mediat ia nisën me shkrime me titullin “Plas sherri keq mes dy reperëve, Majk thumbon Capital T”. Sipas tyre, Majk dhe Capital T, që kanë qenë dy miq shumë të mirë, pasi kanë bashkëpunime të suksesshme si: “Pasha jetën” dhe “Hala”, tashmë janë kthyer në armiq. U duk se marrëdhënia mes shokëve ishte tensionuar së fundmi, pasi Majk bëri një status shpërthyes në “Instastory”.

Ndonëse nuk përmendi emra, Majk shkruante me ofendime për një reper. Pas këtij statusi, Capital T bëri një kundërpërgjigje në “Instastory”.
“Përse urrejtje, kur unë të kam shfaqur dashuri? Pse je i inatosur vëlla?”, shkruante ai, që dukej se i drejtohej Majkut.
Më pas, “Prive” raportoi se sherri mes tyre kishte ardhur pas bashkëpunimit mes Capital T dhe Ledrit, dikur pjesë e “Babastars”, ku është sot Majku. U tha se ky bashkëpunim nuk u prit fare mirë nga Majku, duke qenë se Ledri nuk i ka marrëdhëniet mirë me asnjë nga pjesëtarët e “Babastars”, që kur u shkëput nga ky grup.

E nisur nga gjithë kjo zhurmë, Majk bëri një përballje “live” në “Instagram”-in. Dy shokët, duke qeshur me të madhe, treguan se s’mund ta prishin miqësinë për asgjë dhe për askënd dhe u shfaqën të ekzaltuar që mediat ishin marrë kaq shumë me gjasme “sherrin” e tyre.
Kujtojmë që nuk është hera e parë që reperët e Kosovës dhe Shqipërisë konfliktohen me njëri-tjetrin, por nisur nga këto situata, mund ta mendojmë lehtësisht se ata bëjnë sikur në disa raste, thjesht për të shkaktuar zhurmë e për të marrë më shumë vëmendje. Lind pyetja: Përse u duhen Capital T e Majkut këta skenarë, kur ata vërtet janë në majë dhe mjaft të pëlqyer?!
/Panoramaplus.al


