Sipërmarrësja dhe influencuesja Chiara Ferragni duket se çdo gjë që prek e kthen në ar, pasi të ardhurat e saj financiare rriten vazhdimisht, shkruan “Vanity Fair Italia”.

Shembulli i fundit është marrëveshja shumëvjeçare që “Safilo Group” lidhi me Chiara-n për prodhimin e koleksionit të parë të syzeve të kësaj marke. Aksionet e grupit u rritën në “Piazza Affari”, duke fituar 13% të vlerës.
E njëjta gjë ndodhi edhe në muajin prill të vitit të kaluar me “Tod’s”, kur blogerja u bashkua me bordin e drejtorëve. Aksionet e kompanisë luksoze “Marche” të udhëhequr nga Diego Della Valle regjistruan një rritje prej 14%, ose ndryshe një rritje prej 132 milionë eurosh.

34-vjeçarja ka arritur të krijojë një markë dhe të ndërtojë një besueshmëri ndër vite që shkon përtej marketingut dhe tendencave kalimtare. Tashmë, ajo ka një perandori të vogël financiare që vlen rreth 40 milionë euro. Një shifër e madhe, duke pasur parasysh se Forbes, vetëm 4 vjet më parë, e vlerësoi pasurinë e influencueses 9 milionë dollarë.

Burimi më i dukshëm i të ardhurave për Chiara Ferragni-n janë mediat sociale. Falë 24.8 milionë ndjekësve në “Instagram” dhe 4.5 milionë fansave në “TikTok”, ajo kërkon nga 60 deri në 85 mijë dollarë për secilin postim të sponsorizuar, sipas “DeRev dhe HopperHQ”.

Por përveç biznesit që lidhet me mediat sociale, ajo fiton edhe prej tre kompanive që në vitin 2020 arritën të ardhura gati 20 milionë euro. E para sipas renditjes së fitimeve është “Tbs Crew”, që menaxhon blogun dhe markën “The Blond Salad”, te të cilat Chiara ka shumicën e aksioneve.
E dyta është “Sisterhood”, një kompani që merret me konsulencë për marketing, evente dhe menaxhim të të drejtave të imazhit të talenteve. Dhe e treta është “Fenice”, e cila ka markën “Chiara Ferragni Collection” në portofolin e saj.


