14 Gusht, 2019

Rita Ora mbështet publikisht Tayna-n dhe Dafina Zeqirin: Vajzat kosovare janë të papara


“Bye bye” është kënga e Tayna-s dhe Dafina Zeqirit, që tashmë është kthyer në hit. Ky bashkëpunim është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar, e madje po dëgjohet edhe jashtë kufijve.

Kënga është dëgjuar edhe nga këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Rita Ora, e cila ka vendosur që në “Instastory” ta ndajë me ndjekësit e saj të shumtë.

Rita ka publikuar një foto të Dafinës dhe Taynës nga klipi i ri, duke shprehur publikisht mbështetjen për to.

“Doja vetëm të thoja pse janë vajzat kosovare kaq të papara? E dashuroj vendin nga jam dhe më pëlqen të shoh femrat të marrin kontrollin dhe të jenë vetvetja e të frymëzojnë. Faleminderit vajza që përfaqësoni lirinë dhe i tregoni vajzave të tjera që është në rregull të jesh e pavarur dhe seksi në të njëjtën kohë”, janë fjalët e Ritës në postim.

Dafina ka reaguar nga ky shkrim i Orës, e ka vendosur që ta publikojë në profilin e saj në “Instagram”, ku krahas saj shkruan: “Prapa çdo femre të suksesshme është një grup me femra të tjera të suksesshme të cilat e mbështesin. Rita Ora, ti je shembulli më i mirë. Të dua”.

“Femrat kosovare duke bërë histori”, ka komentuar Tayna në postimin e Dafinës.

 

© Panoramaplus.al