Ndër vite bota e modës ka qenë e mbyllur dhe e paarritshme, megjithatë fatmirësisht standardet e bukurisë kanë ndryshuar dhe mund të bëhesh modele pavarësisht nëse je e gjatë apo e shkurtër, e dobët apo me forma, ke bukuri ekzotike apo mesdhetare. Sot, në shekullin e 21, mund të bëhesh modele madje edhe nëse je me sindromën “Down”.

Në 2020 bëri goxha bujë në mediat ndërkombëtare, Ellie Goldstein, asokohe 18-vjeç, e cila pavarësisht se ka lindur me sindromën “Down”, arriti të plotësojë ëndrrën për t’u bërë modele. Ellie ka pozuar për Guçin dhe është shfaqur edhe në faqet e Vogue Italia.
Së fundmi, një tjetër vajzë me sindromën “Down” ka arritur tëplotësojë ëndrrat e saj. Sofía Jirau ka bërë histori si modelja e parë e Victoria’s Secret me sindromën “Down”, pasi iu bashkua 17 vajzave të tjera në nisjen e fushatës së re të markës. Modelja 24-vjeçare nga Porto Riko festoi momentin historik në ditën e Shën Valentinit pas debutimit të koleksionit “Love Cloud”, një linjë të brendshmesh.
“Një ditë e ëndërrova, punova dhe sot është një ëndërr e realizuar. Më në fund mund t’ju tregoj sekretin tim të madh. Unë jam modelja e parë e Victoria’s Secret me sindromën “Down”! Faleminderit Victoria’s Secret që më sheh si një modele që nuk njeh kufij dhe më bëre pjesë të fushatës gjithëpërfshirëse Love Cloud Collection”, shkroi Jirau në një postim në Instagram.
View this post on Instagram
Ajo i bashkohet markës, ndërsa kompania po përpiqet të distancohet nga imazhet dikur ikonike të engjëjve të “Victoria’s Secret”, dhe po përpiqet të jetë e hapur për të gjitha vajzat dhe gratë.
View this post on Instagram
Jirau e nisi karrierën e saj të modelimit në vitin 2019 në Porto Riko. Një vit më vonë, ajo realizoi ëndrrën e saj për të debutuar në “Javën e Modës” në New York, për të cilën ajo shprehet se është krenare si një nga modelet e pakta me sindromën “Down” që ka arritur të marrë pjesë në eventin e rëndësishëm të modës.
View this post on Instagram
Jirau gjithashtu nisi një fushatë në gjuhën spanjolle të quajtur “No Limits” për të demonstruar aftësinë e njerëzve me sindromën “Down” për të arritur qëllimet, pavarësisht gjendjes së tyre.
© Panoramaplus.al
