18 Maj, 2023

Princ Harry dhe Meghan Markle për pak sa nuk përfshihen në një aksident “gati katastrofal”/ Çifti ndiqen nga paparacët


Princi britanik, Harry, bashkëshortja e tij, Meghan dhe nëna e saj, u përfshinë në një “ndjekje me makinë gati katastrofale” nga paapracët, zbuloi zëdhënësi i çiftit.

Incidenti ka ndodhur pasi Duka dhe Dukesha e Suseksit kishin marrë pjesë në një ceremoni çmimesh në Nju Jork së fundmi.

Në deklaratën, zëdhënësi i çiftit, tha se “ndjekja me makinë” zgjati mbi dy orë. Ai shtoi se ngjarja për pak sa nuk përfundoi në aksident trafiku.

Policia e Nju Jorkut konfirmoi se ka ndodhur një incident dhe tha se një numër fotografësh “vështirësuan transportin e Harryt dhe Meghanit”. Asnjë lëndim apo arrestim nuk është raportuar.

Ka pasur pretendime se në ndjekje janë përfshirë disa makina dhe se kjo ka shtyrë që ato të lëviznin me shpejtësi të madhe, duke shkelur rregullat e trafikut.

 

Harry, Meghan, dhe Doria Ragland (nëna e dukeshës) kanë tentuar të fshiheshin nga paparacit, duke shkuar në stacionin policor në Manhatan.

Më pas, Harry dhe Meghan kanë planifikuar që të largoheshin nga stacioni policor me një taksi, por fotografët i kanë parë dhe ata janë futur sërish në makinat e tyre.

Po ashtu ka pretendime se as prezenca e zyrtarëve policorë nuk e ka ndaluar ndjekjen e tyre me makinë. Çifti përdori sigurim privat gjatë qëndrimit në SHBA.

“Përderisa të qenit figurë publike vjen me një interes të shtuar të publikut, të qenit figurë publike asnjëherë nuk duhet të rrezikojë sigurinë e dikujt”, tha zëdhënësi i çiftit.

Kujtojmë se nëna e princit Harry, Princesha Diana, vdiq më 1997 gjatë një aksidenti me makinë në Paris, pasi makina me të cilën po udhëtonte u ndoq nga paparacët.

Gjatë një interviste për dokumentarin e realizuar nga BBC kushtuar princeshës Diana, princi Harry iu referua paparacëve si “tufë qensh” që vazhdimisht ndiqnin nënën e tij.

“Çdo herë që ajo dilte, kishte një tufë njerëzish që e prisnin”, kishte deklaruar ai. “Dua të them, një tufë qensh e ndiqnin atë, e ngacmonin, e ofendonin, tentonin që të bënin që ajo të reagonte në mënyrë që ta fotografonin atë të zemëruar”.


© Panoramaplus.al