16 Gusht, 2022

Prej disa javësh në paraburgim, lirohet reperi Fero


Reperi i njohur Feronit Shabani ose ndryshe Fero është liruar ditën e sotme (16 gusht) nga paraburgimi.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë avokati artistir, Ilir Shaqiri. Në deklaratën e tij për “Telegrafi’ ai tregon se ditën e sotme është pranuar aktvendimi nga GjykataThemelore e Gjilanit, ku iu është ndërprerë dhe masa për paraburgim Feros.

“Sot kemi pranuar aktvendimin nga Gjykata Themelore e Gjilanit, ku klientit tim i është ndërprerë masa e paraburgimit”, ka thënë Shaqiri.

I pyetur se si ka arritur deri te marrëveshja, avokati zbuloi se ka pasur pajtim mes palëve.

“Kjo vjen në sajë të pranimit të fajësisë nga i pandehuri. Siç e dimë të gjithë ngjarja e shkaktuar ka qenë falë një provokimi, jo vetëm me muzikë por edhe me gjeste që ka çuar deri edhe në agresivitetin e situatës. Dy palët janë pajtuar, Fero është shprehur i penduar për atë që ka bërë dhe kështu kanë arritur në një dakoordësi dhe janë pajtuar”, ka thënë Ilir Shaqiri për Telegrafin.

Por pavarësisht pajtimit, Gjykata e Gjilkanit pritet t’i japë një dënim nga Gjilani, të cilit ende nuk është vendosur.

“Po, dënim do të ketë, ne po e presim vendimin final ku do të na kumtohet se me çfarë dënimi do të pasojë vepra e kryer nga klienti”, përfundoi avokati i Feros.

Rikujtojmë se disa javë më parë reperi sulmoi një person në makinë në qytetin e Gjilanit. Në rrjetet sociale u publikuan menjëherë pamjet e dhunshme dhe më pas policia ndërhyri duke arrestuar reperin.

© Panoramaplus.al