Michele Morrone, aktori i “365 Days” është kritikuar nga ndjekësit në rrjete sociale pasi ofendoi rëndë Belen Rodriguez.

Pas ndarjes nga Stefano De Martino, Rodriguez po përjeton një periudhë të lumtur me partnerin e saj të ri, Antonino Spinalbese. Të dy mezi presin të mbajnë në krahë vajzën e tyre Luna Marie, e cila do të vijë në jetë së shpejti.

Por para se të fillonte historinë e dashurisë me Spinalbese-n, Belen kishte qenë protagoniste e disa thashethemeve dhe flitej për një flirt të pretenduar, të mohuar më vonë, me Michele Morrone-n.

Ylli i “365 Days” në atë kohë nuk preferoi t’i mohonte thashethemet dhe ndoshta emrat e të dyve nuk do të ishin përfolur nëse Morrone do të kishte reaguar në kohë.

Së fundmi, gjatë një live në mediat sociale, Michele iu përgjigj në një mënyrë aspak të këndshme një fansi që e këshilloi të fejohej me Belen.

“Alan më këshillon të fejohem me Belen. Atëherë, prototipi im për një grua është pak më i lartë se dy gjokse dhe një prapanicë. Por kush e di…” -përfundoi ai, duke e nënçmuar Rodriguez-in, duke e zvogëluar atë në imazhin e një gruaje që s’ka asgjë veç bukurisë.

Shumë ndjekës i kanë kritikuar fjalët e Morrone-s, duke i dalë në mbrojtje Rodriguez. Disa thonë se Morrone duhet të ketë më shumë respekt për gjininë femërore, ndërsa të tjerë thonë se fjalët e tij vijnë pasi nuk arriti të kishte asgjë me Belen.


