Vrasësi milioner Robert Durst ka ndërruar jetë në burg në moshën 78-vjeçare.

Ai vdiq në një burg në Kaliforni pasi u shpall fajtor në shtator për vrasjen e shoqes së tij Susan Berman.
Avokati i tij, Chip Leëis, konfirmoi se milioneri vdiq për shkaqe natyrore pasi vuante nga probleme të shumta mjekësore.
Durst u dënua me burgim të përjetshëm në tetor për vrasjen e shoqes së tij në vitin 2000, e cila ishte njëkohësisht e besuara dhe zëdhënësja e tij për një kohë të gjatë.
Gjyqi i tij ishte shtyrë për më shumë se një vit për shkak të pandemisë Covid.

Dy ditë pas dënimit të tij, ai u shtrua në spital pasi u infektua me Covid dhe u vendos në oksigjen.
BBC raporton se Durst vrau Berman, për ta ndaluar atë që t’i tregonte policisë për zhdukjen e bashkëshortes së tij. Gjithashtu mendohet se ka vrarë edhe dy persona të tjerë.
Trashëgimtari i pasurive të paluajtshme në SHBA, zbuloi veten padashje dhe gjithçka u raportua në një seri dokumentarësh të HBO.
“Çfarë dreqin bëra? I vrava të gjithë, sigurisht”, u regjistrua ai duke thënë me vete dhe rrëfimi i tij pavetëdije u transmetua në dokumentar.

Sipas prokurorëve, milioneri vrau edhe fqinjin e tij, Morris Black, pasi u arratis në Teksas 9 muaj pasi ekzekutoi Berman.
Durst pretendoi se e kishte qëlluar aksidentalisht, përpara se të tregonte se trupin e tij e kishte copëtuar dhe pjesët i kishte hedhur në Gjirin Galveston.
Në gjyqin e vitit 2003, ai pretendoi se e bëri për vetëmbrojtje dhe u shpall i pafajshëm pasi argumentoi se u arratis pasi mendoi se nuk do ta besonin.
Durst dyshohet gjithashtu se vrau bashkëshorten e tij Kathie Durst në vitin 1982, trupi i së cilës nuk është gjetur kurrë. Ajo u shpall ligjërisht e vdekur në vitin 2017.
Në nëntor ai u padit zyrtarisht për vrasjen e saj.
“Pas 40 vitesh që kanë kaluar duke kërkuar drejtësi për vdekjen e saj, e di se sa shqetësues duhet të jetë ky lajm për familjen e Kathleen Durst”, tha prokurorja e qarkut Westchester Country në Nju Jork, Miriam Rocah në një deklaratë të hënën.
/Panoramaplus.al


