Gjon Muharremaj dhe Arilena Ara kanë vendosur të bashkojnë forcat për të sjellë një projekt të ri muzikor së bashku.

Lajmin emocionues për fanat e dyshes e ka ndarë fillimisht këngëtarja shqiptare, me anë të një postimi në Instagram.

Arilena po punon për albumin e saj më të ri, të titulluar “Pop Art”, për të cilin ka punuar me një sërë emrash të njohur, si Darko Dimitrov, Mixey, Ylli Limani, Elinel etj.

Albumi do të përmbajë 13 këngë, 5 prej të cilave janë duete me Dafina Zeqirin, Noizyn, Wendy-n, 2PO2 dhe me Gjon’s Tears (emri artistik i Gjon Muharremaj).

Ndërkohë pritet që më 9 korrik të publikohet bashkëpunimi i saj me Noizyn, që titullohet “Murderer”.

Nga ana tjetër, Gjoni ka treguar se më 31 korrik do të mbajë një koncert në Shqipëri.




