Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë fituar kujdestarinë e përbashkët pas një beteje të gjatë në gjykatë.

Ish-çifti nuk arritën dot një marrëveshje për pesë vjet me radhë në lidhje me gjashtë fëmijët e tyre dhe punësuan një gjykatës privat, John Ouderkirk, për të mbikëqyrur çështjen, raporton “Page Six”.

“Pati një ndryshim të rëndësishëm në marrëveshjen e kujdestarisë bazuar në një vendim jashtëzakonisht të hollësishëm të bërë nga gjykatësi,“- tha një burim.
Megjithatë, një burim tjetër tha se ekipi i Jolie e quajti vendimin “paraprak” dhe sugjeroi që ajo do të vazhdonte luftën e saj ligjore për kujdestarinë.

Në vitin 2020 Jolie bëri një përpjekje për të skualifikuar Ouderkirk nga çështja dhe të hënën kritikoi vendimin e tij, dukë thënë se nuk i ka lejuar fëmijët të dëshmojnë.

Aktorja tha se gjyqtari kishte “refuzuar të dëgjonte të dhënat e adoleshentëve të mitur në lidhje me përvojat, nevojat ose dëshirat e tyre për fatin e kujdestarisë“, duke cituar një kod të Kalifornisë që thotë se një fëmijë 14 vjeç e lart duhet të lejohet të dëshmojë nëse dëshiron.

Jolie tha se gjyqtari “nuk ka arritur të konsiderojë në mënyrë adekuate” një pjesë të kodit të gjykatave të Kalifornisë që thotë se është e dëmshme për interesin më të mirë të fëmijës nëse kujdestaria i jepet një personi që ka një histori me dhunë në familje.

Jolie dhe Pitt u martuan në 2014 pasi u takuan rreth nëntë vjet më parë, në setin e “Mr and Mrs Smith”. Ata u divorcuan në vitin 2016, kur avokati i Jolie tha se ajo po e bënte këtë “për shëndetin e familjes”.


