Deputetja kosovare Adriana Matoshi, ka zbuluar se pas nëntë vitesh, i është rikthyer tumori në kokë. Me anë të një postim në “Facebook”, aktorja e ndau vetë këtë lajm me ndjekësit e fansat e saj.

Adrianës iu desh të përballej për herë të parë me një sëmundje të tillë kur ishte shtatzënë dhe priste të sillte në jetë një fëmijë. Ndër të tjera Adriana ka treguar se angazhimet e tepërta, stresi i akumuluar, mbingarkesat e shumta, mund të kenë qenë shkaku kryesor për rikthimin e tumorit.
Nuk dihet nëse do t’i nënshtrohet një operacioni, por deputetja ka shkruar se të mërkurën do të përballet sërish “mes jetës edhe vdekjes”.

Postimi i plotë:
Jetës pas sfidave besoj që veç i shtohet vlera, se atëherë fillojmë ta shohim të bukurën ndryshe, të vlerësojmë të drejtën, ,duke njohur forcën e brendshme edhe sinqeritetin e njerëzve rreth vetes.
Një ndër sfidat që më është dashur të kaloj para nëntë vjetësh, ku u diagnostikova me tumor në hipofizë, atë kohë isha shtatzënë, prisja të sillja një mrekulli në këtë jetë. Komplikim i dyfishtë, shkaku edhe i shtatzënisë, por efekti tek unë nuk vërehej aspak. Asnjë moment të vetëm nuk jam dorëzuar dhe as nuk kam besuar që mund të më ndodhë diçka, se dashurinë për jetën e kisha shumë më të madhe sesa frikën prej vdekjes. Nuk kisha as kohë të mendoja asgjë se në shtëpi më prisnin fëmijët, prindërit, më priste puna, projektet…

Tani nëntë vite më vonë, duke mos pushuar kurrë sa duhet, më kapi një lodhje prej angazhimeve të mia të shumta, stresi i akumuluar brenda, mbingarkesat, të gjitha këto më bënë të mendoj se e kam tepruar. Jam kam thyer limitet vetes.
Po aty e kuptova që tumori në tru ishte rikthyer prapë. Me misionin e njëjtë, prapë po më duket me më tregu që koha është tepër e vlefshme edhe duhet të kaloj më shumë kohë me prindërit e mi, fëmijët e mi, të dashurin tim, me krejt shoqërinë, kolegët e njerëzit që duhemi pa kushte. Gjithçka po e dua më shumë.

Të mërkurën më duhet prapë të përballem mes jetës edhe vdekjes, ama e di që rrugëtimi im ka për të vazhduar se është shumë i gjatë. Kam shumë qytete të botës pa i parë, shumë skena të filmit pa i shkelë, shumë role pa lujt, i kam fëmijët që duhet t’i bëj të zotët e vetes…
I falënderoj nga zemra të gjithë doktorët profesionistë, me të cilët bashkë kemi për të luftuar edhe kësaj here. E falënderoj Zotin që në gjithë këto sfida po më jep forcë e vullnet. Unë kam besim të plotë te fuqia e tij edhe lutjet tuaja.
Besoj që në fund të javës kam për t’u çuar me sukses edhe kam për t’ju kthyer komente pozitive krejt lutjeve tuaja edhe komenteve plot dashuri.
Ju dua fort!

Mos harroni ta doni veten dhe jetën! Mos lakmoni shumë, se as pasuria e botës, as fama e asnjë sukses e arritje në jetë, nuk vijnë para shëndetit. E asnjëra prej tyre nuk mund ta blejnë ilaçin ose me ta zgjat jetën. Në situata të tilla, si jam unë për momentin, u dashka me i lënë të gjitha edhe me mendu për veten.
Unë e pasur jam veç në shpirt, se puna më ka bërë të njoh njerëz, të dëgjoj histori e rrëfime, të përjetoj gëzim e lot bashkë me juve.
Në fund të javës që e kemi fatin e dëgjohemi prapë, mos harroni që ajo ka për të ndodhur me vullnetin e Zotit edhe përkushtimit të mjekëve, nuk ka për të më shpëtuar as fama e as parja.


