Paloma, emri i vërtetë i së cilës është Rudina Demneri, ka treguar më herët se vendimi për t’u bërë pjesë e shtëpisë së “Big Brother VIP” nuk ka qenë aspak i lehtë, duke qenë se është e martuar dhe nënë e një vajze. Megjithatë, bashkëshorti i saj rumun një muzikant i njohur në tregun shqiptar, Alandi, ishte personi i parë që e shtyu të bëhej pjesë e këtij reality show.

Por para dy ditësh teksa ishte i ftuar te “Live From Tirana”, Alandi tha me humor se tashmë që Paloma është pjesë e “Big Brother VIP”, atij i kanë mbetur të gjitha punët për t’i bërë. Megjithatë, ai shtoi se uron që partnerja e tij të qëndrojë sa më gjatë në atë shtëpi.
“I kam thënë që në fillim shko se je për këtë format, sepse është aktive, energjike dhe ka batuta. I thashë thjesht që është karakteri dhe i duhet këtij formati. Nuk e di nëse do pëlqehet nga njerëzit dhe do votohet, por shpresoj që të qëndrojë sa më gjatë në shtëpi, pse jo”,- tha ai.

Paloma dhe Alandi janë prindër të një vajze 6- vjeçare, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Luna. Muzikanti tregoi se mundohet që të mos e shohë “Big Brother VIP” në shtëpi, sepse e bija kërkon nënën e saj.
“Më pyet vazhdimisht sepse normal është nëna e saj, unë mundohem ta shmang dhe të mos e shoh Big Brother-in në shtëpi. Është në moshën që do mamin e saj, por e kemi menaxhuar, ia kemi dalë. Deri tani jemi shokë të mirë, luajmë bashkë, bëjmë detyrat bashkë, mësoj dhe unë shqipen më mirë”,- u shpreh ai.

Ndër të tjera, Alandi tregoi edhe nëse bëhet xheloz për partneren e tij. Ai tha: “Jo. Nuk është xhelozia një faktor, nuk jam bërë xheloz, por normal që jam aty ku duhet, pra e ka një limit edhe xhelozia. Unë jam shumë i qetë, e marr me dashuri dhe pasion çdo gjë. Më ka mërzitur në shumë momente që ka folur më shumë seç duhet, nuk ka shpjeguar siç duhet situatat, por i ka rënë shkurt dhe njerëzit janë keqkuptuar”.

Por nuk ka vonuar dhe Paloma ka rrëfyer më shumë detaje nga martesa e saj, duke shkaktuar shumë reagime. Gjatë një bisede me Monika Lubonjën ka rrëfyer historinë e saj të dhimshme.
Ajo u shpreh se iu desh të kalonte një kalvar të gjatë vështirësie dhe rehabilitimi për bashkëshortin e saj rumun, i cili kishte probleme me alkoolin. Jo vetëm kaq, por ajo rrëfeu edhe frikën që kishte për veten e saj dhe vajzën e vogël si pasojë e agresivitetit që bashkëshorti i saj shfaqte shpesh nën efektin e pijes.

“Vinte në orën dy të natës dhe bërtiste, i thyente të gjitha dhe mallkonte intensivisht. Ishte e frikshme, kisha më shumë merakun e vajzës Një natë erdhi i pirë dhe po më kërkonte mua, nga meraku i vajzës tentova ta qetësoj. Ai më mori mua, më ngriti në ajër dhe kërkonte që të më përplaste në tokë. Kam thirrur policinë dhe e lashë dy ditë atje derisa të qetësohej situata”, u shpreh ajo.

Ndër të tjera, Paloma tregoi se pas kësaj situate u largua nga shtëpia së bashku me vajzën e tyre dhe vendosi bashkëshortin përballë dy zgjedhjeve, alkoolin ose familjen. Ajo zbuloi se bashkëshorti jo vetëm e ka përplasur në tokë, por madje e ka kërcënuar dhe me thikë. Paloma tha se ka duruar 8 vite me radhë, mirëpo në vitet e fundit, situata u rëndua.

‘Më kapte kështu për të më përplasur në tokë. Më përplaste në tokë. Dhe unë që mbahesha tek ai, sepse mendoja se do të më plaste koka në tokë si shalqi. Siç ishte nga kuzhina me thikën në dorë dhe unë që i thosha: Të lutem hiqe thikën!. Më mori nga dera përjashta për të më hedhur në tokë. Aty pastaj mora policinë. U bëmë gazi i botës, po nuk kisha çfarë të bëja. Durova 8 vjet, vitet e fundit u rëndua gjendja. E humbi logjikën!”, tha ajo.

Gazetarja tregoi se pas 7 muajsh gjithçka iu rikthye normalitetit dhe se tani është shumë krenare që sakrifikoi dhe bëri që familja e saj të jetë sot e shëndetshme dhe shumë e bukur. Para dy vitesh ajo foli në një emission për jetën e saj private, ku tregoi se zihej jo pak me burrin. Ajo zbuloi vesin e tij sa herë kishin konflikte bashkë.
Problemi i tij është që sa herë kemi ndonjë problem, ai merr mamin në telefonon, po ajo i del gjithmonë kundër. Paloma tashmë punon si gazetare e “Fiks Fare”, por fillimet i ka pasur në emisionin e mëngjesit.

Po kush është Alandi, një emër mjaft i njohur në botën e muzikës shqiptare? Ai është autor këngësh, këngëtar, producent, i cili vjen nga Rumania dhe njihet si kompozitor i shumë hiteve të këngëtarëve jo vetëm shqiptarë, por edhe ballkanas. Tashmë punon nën menaxhimin e MAX Studio, që udhëhiqet nga kompania “MAX Production Albania”.

Ka realizuar disa hite, dhe ka pasur bashkëpunime kryesisht me këngëtarët si: Dhurata Dora, Young Zerka, Soni Malaj, Ronela Hajati, Adelina Berisha etj. Në qershor 2020, Alandy & Visi publikuan videoklipin “Ti”.
Ndërsa në shtator 2020, Alandy publikoi videoklipin “Linda”, në bashkëpunim me Ddy Nunes. Në korrik të këtij viti, Young Zerka publikoi videoklipin “Sorry” në bashkëpunim me Alandy.
Muzika e këngës u punua nga Alandy, Young Zerka & Edlir Begolli. Në lidhje me deklaratat e bashkëshortes në ekran, Alandy është ndjerë shumë i shqetësuar dhe për këtë arsye ka vendosur të jetë prezent në disa emisione për të sqaruar të vërtetën e tij.



