Zana Krasniqi ka folur së fundmi për rrugëtimin e saj si modele jo vetëm brenda kufijve tanë, por edhe jashtë vendit.

E ftuar pasditen e djeshme te “Rudina”, Zana ndau për herë të parë me publikun disa detaje për jetën e saj. Krasniqi tregoi se gjatë një seti fotografik, ka kundërshtuar fotografin Fadil Berisha që të pozonte pranë ish-Presidentit, Donald Trump.
“Kam punuar në disa fotoshoot-e, por nuk kam qenë modele e ‘Trump Models’. Atëhere Miss Universe e ka organizuar ‘Trump Models’ dhe kur mbaronte Miss Universe ne na ftonin disa Misse për të bërë disa footoshoote, ku kam marrë pjesë dhe unë në disa prej tyre.

Unë isha pak më ndryshe, kisha problem që Fadil Berisha po bënte foto dhe më thoshte ‘Zanë koncentrohu’ dhe unë që i thoja ‘por nuk dua të bëj foto’. Mua nuk m’u duk një moment i rëndësishëm se thoja ‘ok, ai është biznesmen, se është biznesmen nuk do të thotë që të dalë foto me Miss-et’.

Unë rrija nervoze dhe Fadili më thoshte ‘Zanë koncentrohu’ dhe unë i thoja ‘ky është biznesmen pse të dalë foto me neve, nuk dua të dal dhe në këtë foto jam nervoze’”,- tregoi ajo.
Gjatë bisedës në studio, Zana tregoi se nuk dëshironte të bënte veprime që tërhiqnin vëmendjen e mediave në atë kohë, ndryshe nga modelet e tjera.

“Gjatë fotoshoot-it shumë vajza bënin çmos të dilnin në foto apo të bënin skena që t’i kapnin mediat, ndërsa unë isha pak më larg, skandalet nuk i doja shumë dhe fillova t’i shikoja gjërat më ndryshe, sepse kur je aty i shikon gjërat më ndryshe. Fillova me vetveten, thoja ‘Zan a je ti kjo? A je ti për t’u marrë me këto? A do këtë jetë?’”,- zbuloi Krasniqi.

Ndër të tjera, Zana tregoi se tashmë që është nënë e katër fëmijëve njerëzit e pyesin shpesh nëse do të organizojë një dasmë. Ajo tha se së bashku me partnerin, Fita, e pëlqejnë shumë Dhërmiun dhe mendojnë të organizojnë një ceremoni atje.
Krasniqi ka vendosur të provojë veten edhe në fushën e politikës. Ajo po kandidon për të qenë anëtare në Komunën e Prishtinës, në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është pak e vështirë kjo pjesa e mitingjeve, sepse është diçka e re, nuk jam mësuar. Disa miq më thonë mos u bëj modeste, lype votën dhe unë i them që ‘nuk di të lyp votën’. Mirë po shkon për mua, por nuk jam duke bërë shumë fushatë, sepse normal nuk i kam shumë mundësitë, se fëmijët nuk i lë anash për asnjë gjë. Jam e angazhuar, por jo aq shumë sa duhet të isha.
Mundohem të cek gjithmonë gratë për gratë, sepse çështjet e mia lidhen gjithmonë me gratë. Po mundohem të takoj sa më shumë gra, të cilat po mundohem t’i mbështes, dhe të lyp mbështetjen e tyre, sepse mendoj që ne gratë fuqizohemi duke i ndihmuar njëra-tjetrës dhe duke e mbështetur njëra-tjetrën,”- tha ndër të tjera Zana Krasniqi.

Që kur ishte mjaft e re, Zana fitoi kurorën e bukurisë ‘Miss Kosova 2008’ dhe pas saj, edhe ‘Miss Universe 2008’.
Pasi nisi një karrierë në fushën e modelingut në Amerikë, ku edhe punoi për një kohë të gjatë me fotografin e njohur Fadil Berisha, Zana u rikthye në vendlindje për t’iu përkushtuar jetës familjare e duke lënë pas krahëve modelen e jetën e pasarelave.


