Sipas një studimi të fundit niveli i stresit tek punonjësit shqiptarë është në nivele të larta.

Studimi i realizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, u përqendrua në Tiranë dhe në të morën pjesë 800 persona të punësuar. Ndërsa për të matur nivelin e stresit është përdorur Shkalla e Stresit në Punë.
Sipas rezultateve, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve (48.5 %) përjetojnë stres të nivelit të moderuar dhe 12.4% e punonjësve përjetojnë stres të nivelit problematik.

Por nivelin më të lartë të stresit në punë e përjetojnë femrat.
Të dhënat tregojnë se femrat, 51.5% prej tyre janë më të prirura se meshkujt, me 43.3%, për të përjetuar stres të nivelit të moderuar, por nuk kanë diferencë me ta në përjetimin e stresit të nivelit problematik (femrat 12.4% dhe meshkujt 12.6%).
Në studim morën pjesë 270 (33.9%) meshkuj dhe 526 (66%) femra. 4 prej tyre nuk kanë preferuar të shkruajnë gjininë në pyetësor.

Faktorët që ndikojnë në nivelin e stresit: presioni i kohës, paqartësia e rolit, konflikti i rolit, mungesa e promovimit, vështirësia në delegimin e punëve, puna jo e mirë në grup, mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje, trajtimi i pabarabartë në punë, angazhimi në detyra të vështira dhe niveli ulët i pagës
Ndërsa faktorët që nuk ndikojnë janë: kushtet jo të mira fizike, ngarkesa e punës, orët e zgjatura të punë, rreziku fizik në punë, përgjegjësia për njerëzit e tjerë, promovimi përtej mundësive, mungesa e sigurisë në punë, marrëdhënie negative me shefin apo kolegët, komunikimi i papërshtatshëm me shefin apo kolegët, dhe mungesa e pushimeve në punë.



