27 Korrik, 2022

Nisur nga rasti i Don Xhonit: Pse personazhet publike shqiptare e kanë kaq të vështirë të kërkojnë falje?


Don Xhoni, emri i vërtetë i të cilit është Xhonatan Isufi, na riktheu edhe një herë në vëmendje se personazhet publike shqiptare e kanë shumë të vështirë të kërkojnë falje.

Ditën e sotme reperi ka qenë kryefjalë e mediave pasi publikoi një foto ku iu tregonte fansave që kishte blerë një makinë të re superluksoze. Mirëpo, ai e kishte parkuar makinën në një vendparkimi për dy automjete, një prej të cilëve u përket njerëzve me aftësi të kufizuara. Ky detaji mori vëmendjen e të gjithëve dhe kritikat vërshuan ndaj tij- një sepse janë zënë dy vend parkimi dhe dhe dy sepse është cënuar hapësira e dedikuar personave me nevoja të veçanta.

Nuk ka vonuar një përgjigje nga Don Xhoni në rrjetet sociale ku pranon se veprimi i tij është i gabuar. Por gjithsesi e ka shoqëruar këtë me një sërë justifikimesh. “Absolut ka qenë gabim që e kam ndaluar aty [makinën] për pak minuta sa me e realizu foton. Për këtë kam marrë dënimin e merituar prej Policisë sonë që kam shumë respekt për ta dhe kanë shumë të drejtë për këtë gjobë.”– deri këtu jemi shumë në rregull.

Më pas vijon duke thënë se …”por e vërteta dhe vetëm e vërteta është që nuk e kam bërë me qëllim pasi që nuk e kam parë fare simbolin.” Fakti që ai nuk i sheh simbolet apo sinjalistikën nuk e justifikon aspak. Çdo njeri i pajisur me një leje drejtimi duhet të jetë i përgjegjëshëm për veprimet e tij, qoftë edhe në një vendparkim. Së dyti, Don Xhoni ia delegon fajin mediave, siç bëjnë zakonisht personazhet publike në Shqipëri dhe Kosovë. “Edhe unë gaboj dhe nuk ka njeri që nuk gabon por problemi është që përse e bëni mizën elefant? Për pak klikime që ju sjellin pak para?” Në fakt, mediat kanë bërë thjesht detyrën duke raportuar diçka që nuk shkon dhe që është thyerje ligji(pasi siç thotë edhe ai është gjobitur nga policia) dhe së dyti është ndaluar përcjellja e një modeli që mund të interpretohet se një makinë e shtrenjtë ka më shumë përparësi se një karrige me rrota. Don Xhoni ka qindra mijëra ndjekës në Instagram, shumë prej të cilëve të rinj që influencohen shumë nga veprimet e njerëzve që ndjekin nëpër rrjetet sociale.

Megjithatë, Don Xhoni nuk është i vetmi që ka një problem me kërkimin e faljeve publike. Nëse do kthehemi një vit më pas, një tjetër rast edhe më i zhurmshëm se me Don Xhonin mori vëmendjen e njerëzve, por kishte protagoniste Fifin. Kjo e fundit organizoi një koncert në një ambient të mbyllur në një kohë kur pandemia e Covid-19 ishte në kulmin e saj dhe u akuzua nga shumë njerëz për mungesën e përgjegjësisë. Cila ishte përgjigja e saj? Se askush nuk ka të drejtë ta kritikojë për sa kohë pinë kafe përditë dhe se njerëzit duhet të shpërndajnë pozitivitet dhe ta lënë të qetë sepse kishte 11 muaj pa punë. “[Ju thoni se] ju nuk mendoni për familjen tuaj, ju nuk mendoni për rrethin tuaj, ju nuk mendoni për nënë e babë, nuk mendoni për të moshuarit në shtëpi, ju nuk mendoni për shoqërinë. Saktë. Ka mundësi se jemi egoistë dhe mendojmë vetëm për veten dhe si t’i bëjmë dy pare më shumë dhe nuk ka lidhje nëse shpërndahet virusi. Por besoni se nëse ne jemi egoistë, atëherë egoisti e do veten më shumë se të gjithë dhe e ruan veten dhe unë kisha qëndruar në shtëpi. Por të paktën një ditë, doja të ndihesha dhe unë si të gjithë njerëzit që jam duke jetuar dhe që një ditë gjithçka do të kthehet në normalitet.”-tha ajo e revoltuar asokohe.

Një tjetër rast që mund të përmendim është ai i Gjira Kajtazit dhe Melinda Ademit. Kjo e para bëri një status shumë cinik duke komentuar një videoklip që Melinda publikoi pak muaj pasi humbi nënën e saj. “Në mars i ka vdekur nëna nga kanceri e në maj lanson këngë duke u dridhur në tanga. Më fal po këto femna nuk po mundem të i marrë seriozisht. %moral % ndërgjegje, %talent %shije. Pusho në paqe”, shkroi Gjira në reagimin e saj. Pasi gjithë rrjeti iu kthye kundër, duke e vlerësuar veprimin e saj si ‘pa takt, me qëllim të keq dhe aspak human’, Gjira reagoi por çfarë tha? “Kuuuu ç’ka shkaktoi ky status…paramendo ç’ka kish ndodh me bo unë hala muzikë. Meqë ra fjala: e sqaruam privat prandaj e shlyva, po kjo nuk do thotë që ndërrova mendjen…” Asnjë pendesë, asnjë kërkim falje…

Nëse do kërkonim të tilla raste në botën e vogël të showbizit shqiptar do gjenim pafund. Në fakt, dikush me të drejtë mund të mendoj se shqiptarët nuk ndodh të marrin shpesh kërkim-falje as nga ligjvënësit, politikanët që i votojnë vetë, paguhen me taksat e tyre. Kemi qenë dëshmitarë të gabimeve të rënda politike, shkeljeve të ligjit të funksionarëve politik, të zgjedhurve në forume nga baza deri në majë të politikës, kryetarëve apo sekretarët, ministrave, (ish)kryeministrave, presidentë e ish-presidentë. Mund të përmendim më shumë se 3 raste kur ndonjëri prej tyre ka kërkuar falje publike?

Por, pse e kanë kaq të vështirë të kërkojnë falje? A janë ata thjesht kokëfortë? Apo ka diçka në psikologjinë e tyre që i ndalon të jenë në gjendje të marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre dhe thjesht të thonë se u vjen keq? Sipas specialistëve kur kjo ndodh, zakonisht është për njërën nga dy arsyet: (1) Ne nuk kujdesemi mjaftueshëm për personin tjetër ose për marrëdhënien për të marrë përsipër shqetësimin emocional të zotërimit të gabimit tonë dhe të kërkuar falje për të; ose (2) Ne besojmë se falja jonë nuk do të ketë rëndësi.

Por çfarë ndodh me njerëzit që nuk mund të pranojnë kurrë se kanë gabuar, pavarësisht rrethanave? Çfarë i bën ata të paaftë për të kërkuar falje edhe kur janë dukshëm në gabim? Për këta njerëz, pranimi i keqbërjes dhe kërkimi i faljes është shumë kërcënues psikologjikisht. Ofrimi i një faljeje nënkupton se ata kanë dëmtuar një person tjetër në një farë mënyre, gjë që mund të shkaktojë ndjenja turpi. Nga pikëpamja psikologjike, pranimi se jemi gabim është emocionalisht i pakëndshëm dhe i dhimbshëm. Në mënyrë që të marrim përgjegjësi dhe të kërkojmë falje, vetëvlerësimi ynë duhet të jetë mjaftueshëm i fortë që ne ta përthithim atë shqetësim.

Ne të gjithë bëjmë gabime dhe të gjithë padashur lëndojmë të tjerët ashtu siç lëndohemi prej tyre. Ndërsa kërkim i faljes është thellësisht shërues, mungesë e kërkimit të faljes dhe marrjes së përgjegjësisë është totalisht i dëmshëm. “Më fal” janë dy nga fjalët më të rëndësishme në gjuhën shqipe, por për shumë njerëz, ato janë fjalët më të vështira për t’u thënë.

Shënim: Artikulli nuk synon të sulmojë askënd, përveçse të nxjerrë në pak një problematikë kaq të rëndësishme.

© Panoramaplus.al