15 Prill, 2020

“Nisa të bërtisja e shtrirë në dysheme”- Humb mamanë në Ditën e Nënës nga koronavirusi, në vend të dhuratës e varros: Nuk i thashë dot lamtumirë


Në javët përpara mbërritjes së Ditës së Nënës, 33-vjeçarja Aya (pseudonim) ishte angazhuar për ti blerë nënës së saj një dhuratë.

Por ajo nuk e dinte që në vend që ti jepte dhuratën do ta varronte. Nëna e Ayas ishte ndër 10 viktimat e para të koronavirusit në Egjipt.

Megjithëse shteti njoftoi praninë e COVID-19 në mes të shkurtit, vetëm në javën e parë të marsit filluan që të dilnin rregullisht rastet e reja.

Deri më tani, më shumë se 2.000 njerëz në Egjipt janë infektuar dhe të paktën 160 të tjerë kanë vdekur nga sëmundja.

Edhe pse nëna e saj kishte qenë e sëmurë për një javë, Aya nuk e mendoi se ky do ishte fundi për të.

Ajo rrëfen se u shkatërrua kur dëgjoi lajmin.

“I thashë vëllait tim se po gënjen. Ai më tha më herët se nëna po bëhej mirë,”– u shpreh Aya.

Ndërsa shtoi: “Ne shpresonim që ajo të kthehej në shtëpi për ditëlindjen e saj në prill, pasi u shtrua në spital disa ditë para Ditës së Nënës. Do kombinonim të dyja festat.”

Nëna e Aya u dërgua në një spital karantinë në rrethin Helwan, në jug të Kajros, një ditë para vdekjes së saj pasi rezultoi pozitive për Covid-19.

69-vjeçarja ishte shtruar në një spital privat që nga e hëna e asaj jave, kur doli negative në testin e parë për koronavirus para se të përsëriste testin disa ditë më vonë, rrëfeu Aya.

“Herën e fundit që i fola asaj ishte të martën. Isha me babain tim gjatë gjithë kohës pasi bëri një operacion të dielën,”-tregoi ajo.

Sfida më e madhe për të ishte fakti që nuk i tha dot lamtumirë nënës së saj.

Në të njëjtën ditë të vdekjes së nënës së Aya-së, të gjitha lutjet dhe predikimet u pezulluan në të gjithë vendin.

Qeveria urdhëroi mbylljen e xhamive gjithashtu.

Kështu që, Aya u detyrua të kryente lutjet për varrosje brenda morgut të spitalit.

Procesi i nxjerrjes së trupit të nënës së saj nga spitali zgjati shumë, kështu që ata vetëm arritën ta varrosnin natën.

“Shumë pak anëtarë të familjes erdhën. Të gjithë mbanim veshur maska dhe doreza. Kunata ime më mbajti dorën dhe pëshpëriti: “Dua të të përqafoj, por nuk mundem.” Vjehrra e vëllait tim u shkatërrua. Por askush nga ne nuk mund ta ngushëllonte tjetrin,”- rrëfeu Aya.

“Babai im nuk mundi t’i thoshte lamtumirë nënës. Ai mori pjesë në varrim, por nuk e kishte parë atë për një javë,”- shtoi ajo.

Pas vdekjes së nënës së saj, babai i Ayas u shtrua në të njëjtin spital karantinë, pasi rezultoi pozitiv për Covid-19.

“Kur ai u largua, unë e humba atë. Vazhdova të bërtisja në dysheme,” thotë ajo.

Por për fat të mirë babai i saj u shërua dhe u kthye në shtëpi fundjavën e kaluar.

Edhe pse Aya dhe vëllai i saj nuk rezultuan pozitivë, të dy duhej të qëndronin në izolim.

“Si familje, ne as nuk mund të ishim atje për njëri-tjetrin,”- shtoi ajo.

 

© Panoramaplus.al