21 Mars, 2022

Nga braktisja e biznesit të tij, tek roli si menaxher i Fifit, jeta e re e Adisit pas ndarjes nga Adrola Dushi


Prej gati 2 muajsh lidhja e Fifit dhe e Adisit po jetohet në sytë e publikut. Çifti i formuar pak kohë më parë, nuk e kanë pasur aspak problem që ta publikojnë historinë e tyre, duke mos i kursyer puthjet, përqafimet dhe dedikimet plot dashuri për njëri-tjetrin në rrjetet sociale.

Pas daljes nga Big Brother, këngëtarja kosovare u njoh me Adisin nëpërmjet Kledit, ish-banorit tjetër. Që nga ajo ditë çifti na le të kuptojmë se janë më të dashuruar se kurrë, duke qëndruar së bashku 24 orë në ditë. Por emri i Adisit nuk është i panjohur për mediat shqiptare. Vite më parë, ai u shfaq në krah të Adrola Dushit dhe shumë shpejt dy të rinjtë u bënë prindër të një djali. Shpejt martesa e tyre mbaroi, kur modelja vendosi të largohej për në SHBA bashkë me djalin e tyre, Troi.

E teksa karriera e saj vijoi në pasarelat ndërkombëtare, jeta e Adisit vijoi në Tiranë si më parë. I angazhuar me biznesin e tij familjar, Adisi shfaqej rrallë në rrjetet sociale. Por rutina e tij ndryshoi njëherë e përgjithmonë kur u lidh me këngëtaren e njohur. Duket se kjo histori dashurie e ka ndryshuar edhe profesionin e tij. Bëhet me dije se tashmë Adisi është angazhuar si menaxheri i partneres së tij. Është pikërisht ai që i sistemon koncertet, madje edhe e shoqëron atë në çdo dalje të sajën. Në rrjetet sociale, Adisi publikon video dhe foto nga koncertet e shumta që bën Fifi.

E si një menaxher i mirë, ai qëndron pas saj, duke sjellë copëza nga performancat. Veç mundësisë për të qenë pranë të dashurës së tij, kjo është edhe një mundësi e shkëlqyer biznesi, duke qenë se Fifi është ndër më të kërkuarat dhe për rrjedhojë edhe më të paguarat. Ndërkohë që Adisi është parë shumë shpesh edhe nën shoqërinë e ish-banorëve të tjerë të Big Brother. Tashmë ai ka lënë pas jetën e tij të mëparshme, si dhe punën që bënte, duke u bërë pjesë e showbizzit me një të dashur të re dhe një sipërmarrje të re.

© Panoramaplus.al