Norvegjia ka miratuar një ligj që detyron “influencerat” të deklarojnë nëse fotografitë e tyre që përdoren për reklama janë modifikuar apo jo, pasi vendi ka vendosur t’i shpallë luftë standardeve jo të vërteta të bukurisë me arsyetimin se diçka e tillë është e pashëndetshme për të rinjtë.

Ligji që u miratua me datë 2 qershor me 72 vota pro dhe 15 kundër, thekson se çdo foto e postuar nga personat VIP ose ndikuesit e rrjeteve sociale për arsye komerciale dhe modifikohet, duhet të shënohet si e ndryshuar, duke përdorur një etiketë të konceptuar nga Ministria e Familjes.
Ligji do të zbatohet gjithashtu për personat e famshëm dhe ndikuesit që përfitojnë nga rrjetet sociale në platformat si Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe Twitter.
Shkeljet dënohen me gjobë, por në raste të rënda edhe me burg.
Vice, raporton se ndryshimet që duhen raportuar nëse janë bërë në foto është zmadhimi i buzëve, ngushtimi i belit ose zmadhimi i muskujve, por nuk përjashtohet as përdorimi i filtrave.
Në propozimin e dërguar në Parlament, Ministria e Familjes deklaroi se ndryshimi i fotove për qëllime promovuese, ndikon në vetëvlerësimin e qytetarëve, nxit pasiguri tek vetvetja dhe mbi të gjitha krijon një ndërgjegje të ulët.
Duke përdorur termin “kroppspress” që fjalë për fjalë do të thotë “presion mbi trupin”, ministria argumenton se ky është një fenomen i përhapur dhe është një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon negativisht tek të rinjtë për një vetëvlerësim të ulët ndaj vetvetes.
“Presioni mbi trupin është i pranishëm në vendin e punës, në hapësirën publike, në shtëpi dhe në media të ndryshme, etj”, u shpreh ministria.
Në shpjegimin e saj në parlament, Ministria e Familjes theksoi se ky presion është gjithmonë i pranishëm, shpesh i dukshëm dhe është shumë vështirë të luftohet.
Ky ligj do të duhet të shpallet nga mbreti i Norvegjisë, i cili dhe do të vendosë se kur do të hyjë në fuqi.
© Panoramaplus.al
