3 Korrik, 2019

Në maturë me nënën shoqëruese, 21-vjeçari flet për herë të parë: Zgjodha partneren e jetës sime…


Pak ditë më parë, Sadit Tusha dhe nëna e tij Hate u kthyen në një sensacion të vërtetë në rrjetet sociale. 21-vjeçari u shfaq së bashku me nënën në mbrëmjen e maturës.

Lidhur me këtë, ata kanë folur një ditë më parë teksa ishin të ftuar në emisionin “Ftesë në Pesë”. Gjatë intervistës, Sabiti rrëfeu parapërgatitjet për tek festa ku u bënë të famshëm, pa e parashikuar aspak se do të tërhiqnin vëmendjen e të gjithëve.

“E kam planifikuar që në fillim të vitit të 3-të. Mendoja se do dilte diçka e bukur, por nuk ma ka marrë mendja kurrë se do bëhej një bum kaq i madh.”, u shpreh 21-vjeçari.

Ndërkohë Sabiti është më i vogli i 12 fëmijëve të zonjës Hate, e cila në moshën 67-vjeçare ka 28 nipër e mbesa!

Duke e konsideruar si njeriun më të shtrenjtë të jetës dhe partneren e jetës së tij, maturanti shprehet se ka një lidhje të veçantë me mamanë e tij.

Por zonja Hate nga ana e vet, nuk ishte fort entuziaste fillimisht, kur mori ftesën e papritur nga i biri.

“I thashë: ‘Mos po bën ndonjë gabim që po më merr? Të gjithë shkojnë me shoqet!’ Por ai më tha: “Jo, dua të shkoj me zemrën teme”, tregon 67-vjeçarja.

“Nuk mendoj se ka partnere më të bukur se ajo që të ka bo kokën, apo jo?”, shtoi Sabiti.

Ky i fundit u shpreh se kishte disa vajza të cilat i pëlqenin dhe mund t’i kishte ftuar ta shoqëronin, por ishte i vendosur në zgjedhjen e vet.

“Mentaliteti në Kukës nuk është shumë modern dhe nuk preferojnë të bëjnë gjëra si kjo që bëra unë. Të gjithë preferojnë të marrin një partnere të moshës së tyre”, tha ai.

© Panoramaplus.al