Është një nga historitë më interesante të botës së showbizit, ajo e Loredanës dhe Mozzik, të dy këngëtarë tashmë të famshëm. Kanë me mijëra ndjekës si artistë dhe po kaq janë edhe fansat e lidhjes së tyre, të cilët duan t’i shohin çift, ashtu siç kanë qenë dikur, lidhje e cila kulmoi me sjelljen në jetë të fëmijës së tyre.

Po pse nuk gjen paqe Loredana dhe Mozzik? Pse ndahen dhe bashkohen pa fund? Përgjigjet mund të jenë të shumta, por njëra prej tyre mund të jetë fakti se ata vendosën shumë të rinj për t’u martuar dhe për të bërë fëmijë.

Arsyeja e dytë mund të ketë të bëjë me famën, njerëzit shumë të famshëm mund të kenë vështirësi që t’i menaxhojnë mirë edhe karrierën edhe jetën personale në të njëjtën kohë, sidomos kur të dy janë nga bota e showbizit.

Megjithatë arsyetimi vazhdon. Por më përpara le të bëjmë një kthim pas në kohë për të kuptuar më shumë mbi lidhjen dhe krizën mes tyre, për ditët e bukura dhe ato gri që përjetuan, duke u bërë kështu një nga çiftet më të përfolur në botën shqiptfolëse.

“Gjithçka ndodhi thjesht sepse ishim të dashuruar. Tani jetojmë me luftën tonë të trëndafilave. Mijëra ndjenja u bënë politikë, çdo debat mes nesh shkoi aq larg derisa filloi një terren gënjeshtrash. Gjithçka ndodhi thjesht sepse ishim të dashuruar”, është një pjesë e tekstit të projektit ‘Rosenkrieg’, i lançuar vetëm pak muaj më parë.

Videoklipi e gjen çiftin mes lotësh dhe debatesh të forta, sherresh të shumta, derisa largohen nga njëri-tjetri. “Gjithmonë shumë stres. Vetëm u përkeqësua dhe unë ika. Ende mund ta kujtoj dashurinë”, thotë Mozzik në pjesën e tij të klipit.

Po a është kjo historia e vërtetë e çiftit? Çfarë përjetuan ata me të vërtetë që i çoi deri në ndarje?
Me të drejtë, Mozzik thotë se ka kaluar shumë sfida në lidhjen me Loredanën, sprova që i lidhën më shumë me njëri-tjetrin dhe kjo është arsyeja pse e kanë titulluar albumin e tyre “No Rich Parents”. Në dhjetor të vitit 2018, çifti shumë i njohur i showbizz-it, Gramoz Aliu, që njihet si Mozzik dhe Loredana Zefi, u bënë prindër për herë të parë në moshë shumë të re.

Loredana solli në jetë vajzën Hana, e cila tashmë ka një llogari të sajën në “Instagram” dhe numëron mijëra ndjekës. Mirëpo, vetëm 8 muaj pasi u bënë prindër, duket se mes çiftit nisën problemet. Të prezantuar si çifti ideal që në muzikë dolën si burrë e grua, ata stopuan me postimin e fotove çift.

Si arsye e mosmarrëveshjeve mes tyre u cituan problemet e Loredanës me drejtësinë, pasi u akuzua për një skemë mashtrimi, problem që e zgjidhi këtë vit. Kujtojmë që mbi një muaj nga zbulimi i skemës së mashtrimit të reperes në Zvicër, situata u përkeqësua në dëm të saj dhe bashkëshortit Mozzik.

Prindërit e një fëmije të vogël, përveç reputacionit të dëmtuar në publik, rrezikonin të mbeteshin pa asnjë para në xhep. Edhe pse Loredana duket se zgjodhi që të vazhdonte qetësisht karrierën e saj, nga ana tjetër ajo ishte nën hetim nga autoritetet zvicerane për ngjarjen e bujshme të mashtrimit të një çifti zvicerian.

E teksa javët dhe muajt kalonin, detaje të reja dolën në dritë nga mediat zvicerane. Portali zviceran “Zentraplus.ch” zbuloi pak kohë më parë se zyra e Prokurorit Publik dha urdhër që të bllokoheshin të gjitha llogaritë bankare të Loredanës, informacion ky i shpërndarë nga Gjykata e Kantonit të Luzernit.

Ky vendim i autoriteteve u mor për shkak të dyshimeve se pasuria e artistes kishte prejardhje të dyshimtë. Por këtë vendim e kundërshtoi menjëherë Loredana, duke bërë kërkesë kundër bllokimit të llogarive të saj, një kërkesë kjo e hedhur poshtë nga autoritetet. Në një rast të tillë, ajo nuk përdorte llogaritë e saj bankare, duke mos mundur as të depozitonte dhe as të tërhiqte para.

Kjo gjë nënkuptoi që ajo mbeti pa para për të jetuar normalisht apo për të paguar avokatin e saj. Në këtë pikë, sipas medias zvicerane, artistja shqiptare bëri kërkesë që për rastin e saj të angazhohej një avokat shtetëror, i cili punon pa pagesë. Kështu, problemet me paratë dyshohej se ishin një nga arsyet e krizës dhe ndarjes, por që tani e kanë hedhur pas krahëve, pasi zgjidhën dhe problemet me drejtësinë.

Mirëpo, çfarë ndodhi? Ndërkohë që problemet mes çiftit shtoheshin, ndërkohë shtohej më shumë kurioziteti për ta dhe fansat gjithashtu u bënë më të shumtë. Në një moment dramatik, ata kuptuan se një çift që martohet, bën fëmijë dhe ka një jete të qetë, në karrierë mund të mos ketë shkëlqimin e dikurshëm.

Mozzik është një nga reperat më të suksesshëm të Kosovës dhe Loredana nuk qëndron shumë pas tij, sukses që përkthehet në fitime të larta nga muzika. Tashmë ata kanë menduar që edhe këngët t’i bëjnë bashkë, duke qenë se historia e divorcit u kthye në favor për shtimin e fansave në muzikë.

Dhe ata u rikthyen! Nuk e dimë nëse u rikthyen për hir të karrierës, për ta riprovuar, ose mund të mos kenë qenë asnjëherë të ndarë, por gjithçka është bërë thjesht për famë dhe vemendje.

Dhe ja ku kaluan disa javë nga projekti, ata e morën vëmendjen që donin dhe përsëri kemi ndarje. Loredana vjen me një status të gjatë ku e shpjegon këtë ndarje dhe arsyet sipas saj.

“Përshëndetje njerëz, disa nga ju kanë vënë re se unë dhe Mozzik kemi disa probleme për momentin. Ne jemi thjesht dy kokëfortë, të cilët nuk munden as me njëri-tjetrin, as pa njëri-tjetrin. Faza e albumit ishte shumë intensive dhe gjatë kësaj kohe kuptuam se mund të qeshim për 10 orë bashkë, por nuk mund të kemi një marrëdhënie të shëndetshme. Por jam ende shumë e lumtur që arritëm ta bënim këtë album dhe tentuam sërish. ‘No Rich Parents’ ka shkuar shumë mirë. Jam shumë e lumtur që dëgjoj fjalë të mira për albumin. Mozzik dhe unë do të ruajmë sërish raportet e mira. Ai më dha dhuratën më të bukur të jetës.

Mbajini për vete akuzat si ‘ju thamë që do ndodhi kështu’. Kam bërë shumë gabime në jetën time, por këtë herë nuk gabova. Pavarësisht ndarjes, ne arritëm të komunikonim bashkë dhe të rrisnim Hanën dhe të flisnim me njëri-tjetrin për të gjitha ulje-ngritjet. Faleminderit për mbështetjen tuaj, dëgjoni këngën tonë të re ‘Mit Mir’ dhe shikoni albumin tonë në 24 shtator. Do të publikohet vetëm në platformat dixhitale. Faleminderit të gjithë atyre që na kanë mbështetur të dyve ne gjatë kësaj kohe. Mozzik le të ndahet kjo gjë. Me shumë mundësi shumë njerëz mund të mendojnë tani se telenovela e përditshme e Loredanës vazhdon, por fatkeqësisht kjo është jeta e vërtetë”, shkruan reperja në një postim në “Instagram”.

Por kjo gjuhë në dukje e paqtë dhe qytëtare nuk është përdorur gjithmonë mes çiftit. Psh, në një nga postimet e tij, Mozzik shprehet kështu: “Mos i lejoni idiotët t’ju prishin ditën. Mos harroni të doni veten të parën. Rregulli numër 1: Bëj çfarë të bën ty të lumtur. Vetëm sepse ju mungon dikush, s’do të thotë se doni kthimin e tij pas në jetën tuaj. Mungesa është vetëm një pjesë e të ecurit para. Mos e kërko lumturinë në të njëjtin vend ku e humbe një herë!”.

Në fakt, edhe tituli “Rosenkrieg” e ka një kuptim, ai u referohet mosmarrëveshjeve mes partnerëve, ose ish-partnerëve, që do të thotë se nuk bëhet fjalë për një grindje apo konflikt të thjeshtë, por për një “luftë” mes dy njerëzve që janë ose kanë qenë të dashuruar.

Por se si është e vërteta e këtij lëmshi që ata kanë krijuar në jetën e tyre, askush nuk e di. Ose siç shprehet Loredana, ndër të tjera, se njerëzit mendonin se ishte faji i saj, “por të dy e dimë që ka dy anë”. “Vetëm ne të dy e dimë të vërtetën”, thotë ajo.
/Panoramaplus.al



















