Mbrëmjen e sotme në sheshin “Skënderbej” do të mbahet një koncert me rastin e “Natës së Bardhë”. Të pranishme do të jenë zërat më të njohur të muzikës tonë, Aurela Gaçe, Elhaida Dani dhe Vesa Luma.

Lajmin e bukur e kanë dhënë vetë këngëtaret pak ditë më parë nëpërmjet postimeve në profilet e tyre në “Instagram”. Aurela premton se koncerti do të jetë “zjarr”: “Do bëjmë namin, jam e nderuar që do të këndoj në shesh”.

“Me ne funddd erdhi koha tju takoj te gjitheve ne kete dite feste per te gjithe ?!Mezi po pres te performoj LIVE ne SHESHIN SKENDERBEJ ne Tirane dhe ju garantoj nje atmosfere te jashtzakonshme ?. Falemderit Bashkise se Tiranes per ftesen? Te enjten festojme bashke! #29nentore #NataeBardhe #SheshiSkenderbe #Tirana”, shkruante Vesa.

Ndërkohë ditën e sotme, tri këngëtaret u pritën në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai u dorëzoi vajzave edhe Kullën e Sahatit të Tiranës.
Duke premtuar një festë të vërtetë, këngëtarja e njohur Aurela Gaçe ftoi të gjithë shqiptarët që mbrëmjen e sotme të jenë në shesh për të kaluar disa orë plot argëtim e surpriza.

“Unë jam vërtet shumë e nderuar që do të këndoj sot në shesh për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ata që duan të festojnë, për të gjithë ata që fundi i fundit duan të këndojnë, të buzëqeshin. Unë kam një parim: Jeta është shumë e shkurtër dhe nesër askush nga ne nuk e di çfarë do të ndodhë. Jam nga ato natyra që e jetoj jetën si të më vijë për momentin, sot do bëjmë namin”, tha Aurela Gaçe.
“Jemi shumë të lumtur sot t’ju presim në sheshin “Skënderbej” në ditën e gjithë shqiptarëve, në një festë të Pavarësisë, Çlirimit, për një ‘Natë të Bardhë’ me gocat më të mira që ka prodhuar shqiptaria. Sot kush është shqiptar duhet të jetë në sheshin “Skënderbej” për ditën më të bukur të festave, të gëzimit dhe të fishekzjarrëve që mund të keni parë”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë në skenë do të ngjitet edhe Melissa Magnaneli, këngëtarja e talentuar dhe me zë brilant që përfaqësoi Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar, Sanremo Junior 2012. Gjithashtu, në shesh do të këndojnë edhe Erik Lloshi, Krenar Seiti, Xheisara etj, ndërsa nuk do të mungojnë edhe shumë zëra të tjerë të njohur.

Panorama Plus
© Panoramaplus.al
